Sistemi “Qyteti i Sigurt” do të zgjerohet me radarë mobilë dhe kamera të vendosura në automjetet policore, përfshirë edhe veturat civile.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, bëri të ditur se një numër i madh i automjeteve të policisë do të pajisen me pajisje që do të regjistrojnë automatikisht kundërvajtjet në trafik, veçanërisht tejkalimin e shpejtësisë.
Pajisjet do të mund të evidentojnë shkeljet edhe gjatë lëvizjes së veturave policore, ndërsa të dhënat do të regjistrohen drejtpërdrejt në sistemin elektronik.
Paralelisht, do të vendosen edhe kamera mobile në të ashtuquajturat pika të zeza, ku ndodhin më shpesh aksidente të rënda.
Sipas paralajmërimit të Toshkovskit, zgjerimi i sistemit synon që shoferët të mos e dinë paraprakisht se ku kontrollohet shpejtësia dhe të respektojnë rregullat në çdo rrugë.



