Bekim Fazliu nga Lëvizja Arbëria akuzon BDI-në se për dy dekada ka menaxhuar sistemin e paqartësive juridike rreth statusit të gjuhës shqipe, duke e shndërruar atë në mekanizëm për privilegje, poste dhe interesa partiake.
Sipas Fazliut, paqartësitë kushtetuese e ligjore, kushtëzimi prej 20% dhe zyrtariteti i shkallëzuar e kanë vendosur gjuhën shqipe në një “labirint juridik”, ku BDI-ja, gjatë kohës në pushtet, jo vetëm që nuk e zgjidhi problemin, por u bë menaxhuese e këtij sistemi.
Ai kritikon edhe qëndrimin e BDI-së në opozitë, duke thënë se në vend të kërkimit të barazisë së plotë, ajo vazhdon ta mbrojë sistemin ekzistues.
Fazliu kërkon barazi të plotë juridike dhe institucionale për gjuhën shqipe, sipas modelit të Kosovës, dhe jo zgjidhje të pjesshme që, siç thotë, i mbajnë shqiptarët të ngujuar në beteja të vazhdueshme për mbishkrime, tabela, provime, faqe interneti, emërtime rrugësh e dokumente.
“Shqiptarët kanë nevojë për barazi juridike dhe institucionale. Por problemi është se ata që u mësuan me labirintet e pushtetit sot duan të na bindin se vetë labirinti është zgjidhja. Ne kërkojmë të dalim prej tij!”, thekson Fazliu.



