Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e Ziadin Selës, duke konfirmuar vendimin e shkallës së parë dhe duke i dhënë të drejtën Arben Taravarit për drejtimin e Aleancës për Shqiptarët (ASH).
Me këtë vendim të shkallës së dytë, përmbyllet beteja gjyqësore për legjitimitetin, kryetarin dhe vulat e partisë, ndërsa Taravari mbetet kryetar i njohur ligjërisht në Regjistrin e partive politike.
Apeli konfirmoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Tetovës, të marrë në mars të këtij viti, e cila kishte vendosur në favor të Taravarit dhe kishte refuzuar kërkesat e Selës.
Gjykata pranoi ndryshimet statutare të kërkuara nga Taravari, duke shfuqizuar statutin e Kongresit të 3-të të jashtëzakonshëm të dhjetorit 2022 dhe duke rikthyer në fuqi statutin e Kongresit të 2-të, të marsit 2022, në përputhje me vendimin e Kongresit të 4-t të jashtëzakonshëm të shkurtit 2024.
Krahu i Selës kishte paralajmëruar ankesë, duke kontestuar procesin gjyqësor dhe duke akuzuar sistemin gjyqësor dhe Taravarin për ndikim në proces.



