BDI: VLEN-i e pranoi vetë – ligji e garanton shqipen, Qeveria nuk e zbaton!

Gjysmëkryetari i VLEN-it, në konferencën e sotme për media, konfirmoi pikërisht atë që Bashkimi Demokratik për Integrim e thekson vazhdimisht: Ligji për përdorimin e gjuhëve është i qartë dhe mundëson dhënien e provimeve profesionale në gjuhën shqipe.

Nëse sot mbahen provime profesionale në shqip, bazuar në Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe Amendamentin V të Kushtetutës, atëherë shtrohet pyetja: pse e njëjta bazë ligjore dhe kushtetuese të mos vlejë edhe për provimin e jurisprudencës dhe provimet e tjera shtetërore?

Sot u dëshmua edhe një herë se gjuha shqipe ka bazë të qartë ligjore dhe kushtetuese për këtë të drejtë. Problemi nuk qëndron te mungesa e ligjit, por te mungesa e vullnetit dhe kapacitetit të kësaj garniture qeverisëse, e cila, pa legjitimitet politik, nuk arrin as ta zbatojë ligjin.

Këtë e ka konstatuar edhe Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve, duke theksuar se ligji e rregullon këtë çështje dhe se dispozitat e tij duhet të zbatohen.

Qëndrimi ynë është i qartë: Ligji ekziston, e garanton të drejtën dhe obligon institucionet që ta zbatojnë. Nëse nuk e zbatoni, do të mbani përgjegjësi juridike dhe kombëtare. Kjo e fundit do t’ju përcjellë gjatë gjithë jetës, thuhet në reagimin e BDI-së.