Pritje me orë dhe thirrje të refuzuara – Klekovski pranon problemet me Ndihmën e Shpejtë, paralajmëron reforma

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, ka pranuar se shërbimi i Ndihmës së Shpejtë përballet me probleme serioze, përfshirë pritjet e gjata, mungesën e ekipeve mjekësore dhe refuzimin e thirrjeve për intervenim.

“Pritje me orë. Automjet pa ekip. Thirrje e refuzuar sepse pacienti është i moshuar apo i sëmurë nga kanceri. I kam lexuar të gjitha ankesat dhe nuk i shpërfill”, shkruan Klekovski.

Ministri paralajmëroi krijimin e një qendre të pavarur të Ndihmës së Shpejtë në Shkup, vendosjen e standardeve kombëtare për përcaktimin e urgjencës së rasteve dhe krijimin e një qendre kombëtare për koordinimin e thirrjeve dhe ekipeve mjekësore.

Sipas Klekovskit, janë blerë 100 automjete të reja, me të cilat numri i automjeteve funksionale do të arrijë në 200, ndërsa 50 të tjera priten përmes programit IPA të Bashkimit Evropian.

Problem serioz mbetet mungesa e kuadrit, pasi mbi 300 punonjës të Ndihmës së Shpejtë do të pensionohen deri në vitin 2030.

“Matësi i suksesit nuk do të jetë asnjë postim apo komunikatë, por koha që qytetari pret nga momenti kur telefonon në numrin 194”, theksoi Klekovski.