Forcat ukrainase kanë rimarrë kontrollin e rreth 600 kilometrave katrorë territor në zonën kufitare ndërmjet rajoneve të Dnipropetrovskut, Donetskut dhe Zaporizhias, sipas analizës së ekspertit ushtarak francez, Clément Molin.
Nga kjo sipërfaqe, rreth 400 kilometra katrorë ishin më parë nën pushtimin rus, ndërsa pjesa tjetër konsiderohej si e ashtuquajtura “zonë gri”. Gjithsej 41 vendbanime raportohet se janë rikthyer nën kontrollin ukrainas.
Operacioni kundërofensiv ka zgjatur rreth shtatë muaj, ndërsa sukseset e ushtrisë ukrainase janë pranuar edhe nga disa blogerë ushtarakë rusë, përfshirë kanalin “Rybar”.
Rëndësia e këtij operacioni qëndron në faktin se forcat ukrainase kanë arritur të përmbysin situatën pikërisht në drejtimin ku ushtria ruse vitin e kaluar synonte të depërtonte më thellë në rajonin e Dnipropetrovskut.
Megjithatë, komanda ushtarake ukrainase ende nuk i ka publikuar rezultatet e plota të operacionit.



