Dy deputetët shqiptarë në dy komisione të Kuvendit të Serbisë

Kuvendi i Serbisë miratoi të martën, më 24 nëntor, përbërjen e komisioneve parlamentare. Vendimi u miratua me 133 vota pro dhe 93 kundër.

Dy deputetët e Koalicionit Shqiptar do të angazhohen në dy komisione. Shaip Kamberi u zgjodh anëtar i Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave Kombëtare dhe për Barazi Gjinore, ndërsa Visar Mehmeti u zgjodh zëvendësanëtar i Komisionit për Kulturë dhe Informim.

Shumicën e vendeve në komisione e mori Lista Studentore. Kryetari i grupit parlamentar “Aleksandar Vuçiq – Serbia fiton”, Aleksandar Vuçiq, njoftoi se grupi i tij nuk do të marrë pjesë në punën e komisioneve. Ai e arsyetoi vendimin me faktin se grupit të tij nuk iu nda asnjë pozitë drejtuese në këto organe.

Gjatë debatit, deputeti i SDA-së së Sanxhakut, Ahmedin Shkrijel, njoftoi mbështetjen për propozimin edhe në emër të dy deputetëve të Koalicionit Shqiptar. Shkrijel u zgjodh anëtar i Komisionit për Çështje Kushtetuese dhe Legjislacion, ndërsa Usame Zukorliq u zgjodh anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme.

Seanca konstituive vazhdon të mërkurën, më 25 nëntor, në orën 10:00. Në rend të ditës mbetet zgjedhja e përbërjes së delegacioneve të përhershme të Kuvendit në institucionet ndërkombëtare.