Greqia po përgatit rregulla të reja të komunikacionit, me gjoba më të larta dhe kontrolle më të rrepta për shoferët.
Masa më e ashpër parashikon gjobë prej 2.000 eurosh dhe heqje të patentë-shoferit për 60 ditë për automjetet me targa të palexueshme ose që nuk mund të identifikohen nga kamerat e trafikut. Sanksioni do të vlejë edhe nëse vetëm njëra targë është e palexueshme.
Ndryshimet e tjera parashikojnë:
* Vetëm personat mbi 22 vjeç, me së paku tri vjet përvojë në vozitje, do të mund të drejtojnë automjete me fuqi mbi 340 kuaj-fuqi.
* Shoferët e rinj do të duhet të vendosin shenjë të veçantë në automjet gjatë vitit të parë pas marrjes së patentës.
* Provimet praktike të vozitjes do të regjistrohen me kamera 360 gradë dhe tableta.
* Gjoba për disa shkelje të parkimit dhe mosrespektimit të shenjave do të rritet nga 30 në 60 euro.
Projektligji është publikuar më 21 nëntor për konsultim publik. Propozimet janë përgatitur nga Ministria greke e Infrastrukturës dhe Transportit.



