Mbi 1.200 tentativa për kalim ilegal të kufirit janë parandaluar gjatë muajit tetor në Maqedoninë e Veriut. Ndërkohë, policia ka zbardhur edhe dy raste të trafikimit të migrantëve, ku janë përfshirë 17 persona nga Afganistani dhe Egjipti. Për këto raste janë ngritur kallëzime penale ndaj katër personave.
“Gjatë muajit tetor janë zbardhur dy raste të trafikimit të migrantëve, në të cilat janë përfshirë gjithsej 17 persona, prej të cilëve 13 nga Afganistani dhe katër nga Egjipti. Për tri vepra penale janë ngritur kallëzime penale ndaj katër personave”, thanë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
-Dy raste të zbardhura
-17 migrantë të përfshirë
– Katër persona të kallëzuar penalisht
Nga ana tjetër, në kufijtë me vendet fqinje janë parandaluar 1.254 tentativa për kalim ilegal. Pjesa më e madhe e tyre janë regjistruar në kufirin me Greqinë.
“Sipas vendit të origjinës, numri më i madh i tentativave është evidentuar te personat nga Afganistani, me 321 raste. Në mesin e pesë vendeve me numrin më të lartë përfshihen edhe personat pa shtetësi, si dhe ata nga Egjipti, Sudani dhe Algjeria”, theksojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
-1,254 tentativa të parandaluara.
-Shumica në kufirin me Greqinë.
– Afganët kryesojnë listën me 321 raste
Krahasuar me tetorin e vitit të kaluar, sipas të dhënave të MPB-së vërehen ndryshime në strukturën e migrantëve. Numri i tentimeve për kalim ilegal të kufirit nga personat pa shtetësi është rritur nga zero në 284 persona. Rritje ka edhe te shtetasit e Algjerisë, nga 35 në 124. Shifra pothuajse të njëjta ka te shtetasit e Sudanit, 124 këtë vit, krahasuar me 127 vitin e kaluar. Ndërsa te shtetasit e Afganistanit është shënuar një rënie e lehtë nga 329 në 32. Rënie më të theksuar ka te shtetasit e Egjiptit edhe atë nga 306 vitin e kaluar në 133 tentime këtë vit./Alsat.mk.





