Të brishta, vetëm 500 gramë, por me një betejë të madhe për jetën!
Rreth një në dhjetë foshnja lind para kohe, ndërsa mjekët në Klinikën e Gjinekologjisë në Shkup po arrijnë të shpëtojnë edhe të porsalindur me peshë ekstremisht të ulët, vetëm rreth 500 gramë.
Foshnja më e vogël e lindur në Klinikë gjatë vitit 2026 peshonte vetëm 530 gramë, ndërsa trajtimi i prematurëve kërkon kujdes intensiv, pajisje të specializuara dhe përkushtim të jashtëzakonshëm të ekipit mjekësor.
Nga janari deri në fund të tetorit, në Klinikën e Gjinekologjisë janë regjistruar 3.266 lindje, ndërsa 610 foshnja, apo rreth 19 për qind, kanë lindur para kohe.
Përqindja më e lartë se mesatarja shtetërore shpjegohet me faktin se kjo Klinikë është qendër terciare, ku referohen shtatzënitë me rrezik të lartë nga mbarë vendi.
Në repartin e kujdesit intensiv neonatal, për disa të porsalindur çdo gram peshë dhe çdo frymëmarrje është një hap drejt mbijetesës. Mjekët, ndërkaq, theksojnë rëndësinë e parandalimit të lindjeve të parakohshme, diagnostikimit të hershëm dhe ndjekjes së shtatzënive me rrezik.





