Autor: Dejana Vukadinović – BBC News në serbisht 17 shtator 2026, përditësuar më 20 shtator 2026
Në kohën e fushatave parazgjedhore, kur hapen vende të reja pune, politikanët zakonisht ftojnë gazetarët për t’u mburrur me sukseset e reja. Por ky nuk ishte rasti me fabrikën e dronëve në Beograd.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, inauguroi një fabrikë për montimin e dronëve të prodhimit izraelit, ku, sipas tij, do të punojnë rreth 100 punëtorë. Në të do të prodhohen mjete ajrore pa pilot për Ushtrinë e Serbisë dhe ushtritë e vendeve të tjera.
Adresa e fabrikës ende nuk dihet, ndërsa as në videon e publikuar nuk tregohet se ku ndodhet ajo.
Në politikën e jashtme të Serbisë, e cila vitet e fundit bazohet në mbajtjen e marrëdhënieve me disa palë njëkohësisht, bashkëpunimi ushtarak me Izraelin nuk është risi. Kjo ndodh edhe pse një numër i madh shtetesh po i shmangin marrëveshjet e tilla, për shkak të konfliktit në Rripin e Gazës dhe akuzave se ushtria izraelite ka kryer gjenocid, pretendime që autoritetet izraelite i mohojnë.
“Partneriteti me Izraelin mund t’i ndihmojë prodhuesit serbë të arrijnë të njëjtin nivel cilësie, por çështja më e rëndësishme është se cilat do të jenë pasojat e afrimit më të gjerë diplomatik të Serbisë me këtë vend”, thotë për BBC-në në serbisht Steven Feldstein, bashkëpunëtor i Fondacionit Carnegie në Uashington.
Serbia po përpiqet t’i forcojë kapacitetet në disa drejtime, me qëllim modernizimin e ushtrisë, njësoj si shtetet e tjera, vlerëson Zain Hussein nga Instituti Ndërkombëtar i Stokholmit për Kërkime të Paqes (SIPRI).
“Serbia është shpenzuesja më e madhe ushtarake në Ballkanin Perëndimor dhe veçohet si një nga vendet që vazhdojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes me Izraelin, pavarësisht gjenocidit në Gaza”, shton studiuesi i Programit për Transferimin e Armëve në përgjigjet me shkrim për BBC-në.
Në publikimin për hapjen e fabrikës shihen Vuçiqi, ambasadorja e Izraelit dhe inxhinierë që shpjegojnë mënyrën e funksionimit të dronëve.
Për shkak të “konfidencialitetit të procesit të prodhimit”, gazetarët nuk u ftuan të vizitonin objektin, për të cilin portali hulumtues BIRN dhe gazeta izraelite Haaretz kishin raportuar më herët se do të ndërtohej në bashkëpunim me gjigantin izraelit të industrisë së mbrojtjes, kompaninë Elbit Systems, e cila duhej të ishte pronarja shumicë.
Elbit, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë dhe Jugoimporti, ndërmarrja shtetërore për tregtinë e armatimit, nuk iu përgjigjën pyetjeve të BBC-së lidhur me fabrikën.
Çfarë u tha në hapjen “misterioze”?
Me partnerët izraelitë do të hapen “të paktën edhe tri fabrika të tjera”, deklaroi Vuçiq gjatë vizitës në objektin e kompanisë SDS Technologies, ueb-faqja e së cilës është ende në përgatitje.
“Këta dronë hyjnë përmes dritareve, ndjekin kundërshtarin, janë jashtëzakonisht efikasë dhe mund të shihni se si trajnohet dhe ushtrohet përdorimi i asaj që prodhojmë këtu në Beograd. Jam shumë i lumtur që kemi arritur në këtë nivel”, tha ai në videon e publikuar.
“Ajo që është e rëndësishme, koka luftarake prodhohet këtu nga Krušik-u”, fabrika e industrisë ushtarake nga Valjeva, shtoi Vuçiqi.
BBC në serbisht kërkoi koment nga Ambasada e Izraelit në Beograd.
Dy ditë më vonë, ambasada publikoi në Instagram fotografi nga hapja e fabrikës, duke theksuar se ishte krenare që kishte qenë pjesë e një ngjarjeje të rëndësishme për bashkëpunimin mes industrisë ushtarake serbe dhe Elbit Systems.
“Një tjetër pikë kthese në partneritetin tonë të fuqishëm dhe strategjik, i cili forcon lidhjet ekonomike dhe industriale dhe e çon bashkëpunimin mes Izraelit dhe Serbisë në një nivel të ri”, thuhet në reagimin e Ambasadës së Izraelit.
Beogradi, përmes këtij bashkëpunimi, po vazhdon politikën e jashtme shumëdrejtimëshe dhe po përpiqet të krijojë një tjetër lidhje me Perëndimin dhe përtej tij, shpjegon Vuk Vuksanović, ligjërues në Departamentin e Studimeve të Luftës në King’s College në Londër.
“Ekziston edhe dimensioni i strukturave qeverisëse, të cilat besojnë se miqësia me Izraelin do t’u sigurojë qasje te grupet e tyre lobuese dhe, rrjedhimisht, edhe te administrata e presidentit amerikan Donald Trump”, thotë ai për BBC-në.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një nga vendet e pakta që vazhdojnë të qëndrojnë fuqishëm në krah të Izraelit dhe kryeministrit Benjamin Netanyahu gjatë konfliktit trevjeçar në disa fronte në Lindjen e Mesme – në Gaza, Liban dhe kundër Iranit.
Me bashkëpunimin e paralajmëruar me Serbinë, Izraeli po vazhdon doktrinën e tij për krijimin e partneriteteve diplomatike dhe të sigurisë në periferinë më të gjerë, jashtë sferës së drejtpërdrejtë të fqinjëve të tij islamikë, duke zgjeruar kështu hapësirën e veprimit, thotë Vuksanović.
“Kjo do ta forcojë zinxhirin e furnizimit dhe do ta largojë Izraelin nga një hapësirë që ka qenë gjithmonë, e sidomos aktualisht, shumë e tensionuar – Lindja e Mesme”, thekson ai.
Marrëveshja mund të ketë edhe pasoja të mundshme të sigurisë për Serbinë, pasi “shtrohet pyetja nëse kjo fabrikë mund të bëhet objektiv i spiunazhit të mundshëm, sabotimit apo grupeve militante të ndërmjetësuara”, shton Vuksanović.
Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar Hetimor i Kombeve të Bashkuara (OKB) ka deklaruar se Izraeli ka kryer gjenocid ndaj palestinezëve në Gaza, ndërsa Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar urdhërarrest për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Republika e Afrikës së Jugut e ka paditur Izraelin për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, por ende nuk ka një vendim gjyqësor.
Izraeli i mohon të gjitha akuzat.
Çfarë dihet deri tani për SDS Technologies?
Kompania është themeluar në prill të vitit 2025, në adresën Birčaninova 28a, në qendër të Beogradit, sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrat e Bizneseve.
Veprimtaria kryesore e saj janë telekomunikacionet satelitore.
Ajo ka tre drejtorë: shtetasen greke Maria Kardamaki, izraelitin Zion Amir dhe George Entoan Elgosain nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kompania është në pronësi 100 për qind të kompanisë Cupa Limited, me seli në Londër.
Partnerë të vjetër në tregtinë ushtarake
Në prill të vitit 2026, Serbia dhe Izraeli nënshkruan një marrëveshje për sigurinë, e cila parashikon shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të informacioneve të klasifikuara në fushën e mbrojtjes.
Vlera e eksportit të municionit dhe armatimit nga Serbia në Izrael, nga viti 2023 deri në fund të vitit 2025, arriti në 114 milionë euro, pavarësisht thirrjeve të shumta të ekspertëve të Kombeve të Bashkuara (OKB) për ndërprerjen e shitjes, raportoi portali hulumtues BIRN.
Pjesa më e madhe e këtij eksporti u realizua përmes Jugoimport SDPR-së.
Në fund të qershorit 2025, eksporti i municionit u ndërpre dhe për çdo dërgesë kërkohen vendime të posaçme, deklaroi Vuçiqi.
Beogradi zyrtar kishte bashkëpunuar edhe më herët me Elbit-in, duke blerë sisteme të avancuara artilerike PULS dhe dronë luftarakë Hermes 900, në vlerë prej 335 milionë dollarësh.
Kjo do të jetë ndër kontratat më të shtrenjta të kompanisë izraelite të industrisë ushtarake, raportoi Jerusalem Post.
Cilët dronë prodhon tashmë Serbia?
Serbia aktualisht zhvillon dhe prodhon disa sisteme pa pilot, kryesisht për nevojat e veta.
Dronët Komarac 1 dhe 2 prodhohen që nga viti 2024 në Institutin Teknik Ushtarak (VTI) në Beograd, në bashkëpunim me industrinë vendore të mbrojtjes.
Komarac 1, me kokë luftarake të kalibrit 50 milimetra, është projektuar për automjete të blinduara, objektiva lehtësisht të fortifikuara dhe njësi ushtarake, shpjegohet në ueb-faqen e Ministrisë së Mbrojtjes.
Droni kontrollohet në distancë, ndërsa koka luftarake mund të aktivizohet gjatë goditjes së objektivit ose përmes stacionit të komandimit.
Lloji i dytë ka kokë luftarake me eksploziv dhe predhë të formuar, me kalibër dy herë më të madh se ai i llojit të parë.
Në të njëjtin institut prodhohen edhe dronët Vrabac dhe Osica.
Serbia prodhon gjithashtu Pegaz-in, një dron luftarak dhe zbulues, i projektuar për goditjen e objektivave tokësore dhe i përshtatur për detyra sulmuese me ndihmën teknike kineze.
Jugoimporti prodhon edhe mjetin ajror pa pilot – predhën Gavran 145, për parandalimin e sulmeve, si dhe helikopterin pa pilot Stršljen, i cili shërben për mbështetjen e trupave tokësore, zbulimin dhe shkatërrimin e pozicioneve komanduese të armikut, vëzhgimin e fushëbetejës, shënjestrimin me lazer dhe luftën kundër veprimeve elektronike.
Edhe pse Ushtria e Serbisë prodhon dronë, për përparim të konsiderueshëm në zhvillimin e tyre nevojitet përvoja shumëvjeçare e dikujt tjetër, ndërsa zgjedhja më e mirë për këtë është Izraeli, deklaroi më herët për Euronews eksperti i sigurisë Ilija Životić.
Marrëveshjen e fundit me kompaninë izraelite Serbia mund ta shfrytëzojë për prodhimin e pajisjeve dhe sistemeve të veta, thotë Vuksanović.
“Nga perspektiva e industrisë së mbrojtjes dhe asaj ushtarake, e cila është e lidhur ngushtë me strukturat qeverisëse, ata po përpiqen ta vendosin Serbinë në pozitën e vendit numër një në prodhimin e dronëve në Ballkan, por edhe të depërtojnë në tregje të tjera”, pohon ai.
Mali i Zi, në qershor të vitit 2025, nisi një projekt për prodhimin e dronëve në bashkëpunim me SHBA-në. Seritë e para të këtyre mjeteve ajrore do të dedikohen për donacione dhe mbështetje të forcave ukrainase përmes programeve të NATO-s, ku Mali i Zi është gjithashtu anëtar.
Në Kroaci prodhohen dronë të vegjël, të cilët janë eksportuar edhe në Ukrainë, ndërsa vendi ka blerë edhe gjashtë mjete ajrore luftarake pa pilot të tipit Bayraktar nga Turqia.
Në fund të vitit 2025, Kosova prodhoi dronin e saj të parë, “Soko”, një muaj pasi kishin mbërritur “mijëra” dronë ushtarakë kamikazë nga Turqia, duke i tensionuar më tej marrëdhëniet me Serbinë.
Mjete ajrore pa pilot, njëpërdorimëshe dhe të ripërdorshme për bartjen e ngarkesave, së fundmi prodhohen edhe në Bosnjë e Hercegovinë.
Maqedonia e Veriut, për momentin, nuk ka prodhim vendor të dronëve.
Për kompaninë Elbit
Elbit Systems u themelua në vitin 1966 me emrin Elbit Computers Ltd, nga kompania Elron Electronic Industries dhe Ministria e Mbrojtjes e Izraelit.
Aktualisht është kompania më e madhe e pajisjeve ushtarake në Izrael dhe prodhuesja e 24-t më e madhe e armatimit në botë. Tregjet më të mëdha pas atij vendor janë SHBA-ja dhe Evropa.
Megjithatë, në qershor të vitit 2025, në një raport të përfaqësueses speciale të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, kompania u cilësua si “një nga kompanitë që përfiton më së shumti nga gjenocidi në Gaza”.
Spanja, në vitin 2025, anuloi një kontratë me vlerë rreth 700 milionë euro për blerjen e sistemit raketor të Elbit-it. Më herët, ajo kishte vendosur edhe ndalesë për tregtinë ushtarake me Izraelin, raportoi agjencia France Presse, duke iu referuar një dokumenti zyrtar.
Ndërprerje të bashkëpunimit kishte edhe para luftës në Rripin e Gazës.
Fondi norvegjez i pensioneve shiti aksionet në Elbit Systems në vitin 2009, për shkak të rolit të kompanisë në furnizimin me sisteme mbikëqyrjeje për murin e diskutueshëm ndarës në Bregun Perëndimor. Ndërsa banka britanike HSBC tërhoqi investimet, pasi kompania mori nën kontroll IMI Systems, prodhuesin e bombave thërrmuese.
Në disa vende evropiane janë organizuar protesta para filialeve të Elbit-it për shkak të luftës në Gaza. Ndërsa në qershor, në Beograd, u ndaluan 13 aktivistë të organizatës “Mbështetje për Popullin e Palestinës – Serbi”, të cilët protestonin kundër hapjes së fabrikës.
“Me prodhimin e dronëve për ushtrinë izraelite dhe vendet e NATO-s, Serbia po përfshihet edhe më shumë në luftërat imperialiste dhe po na vendos të gjithëve në shënjestër”, deklaruan për BBC-në përfaqësuesit e organizatës.
Çfarë armatimi importon Serbia dhe ku eksporton?
Vuçiqi gjatë viteve të fundit ka folur shpesh për forcimin dhe zhvillimin e industrisë ushtarake, për shkak të së cilës Serbia do të vazhdojë shitjen e armatimit “kujtdo që është përdorues përfundimtar i lejuar”.
Polemikat më të mëdha janë zhvilluar rreth çështjes nëse municioni nga fabrikat serbe përfundon në Ukrainë. Akuza të tilla kanë ardhur edhe nga Moska, me të cilën Beogradi ruan marrëdhënie të mira.
Fabrikat e industrisë ushtarake, në kundërshtim me “neutralitetin” e shpallur nga Beogradi zyrtar, prej muajsh e kanë furnizuar në mënyrë indirekte Kievin me municion, njoftoi Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR).
Qiproja, Uganda, Azerbajxhani dhe Turkmenistani janë vendet ku Serbia ka eksportuar kryesisht municion gjatë periudhës 2020–2025, sipas Institutit Ndërkombëtar të Stokholmit për Kërkime të Paqes (SIPRI).
Bashkëpunimi me Izraelin është i shkëlqyer, deklaroi Vuçiqi në mars të vitit 2026.
“Ata na shesin armë, ne u shesim armë atyre dhe kjo do të vazhdojë”.
Serbia gjatë viteve të fundit ka importuar më së shumti armë nga Rusia, Kina, SHBA-ja, Franca, Gjermania dhe Izraeli.
Përveç Izraelit, Serbia ka blerë dronë edhe nga Kina dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA).



