Tragjedi në Kroaci: Humb jetën 33-vjeçari nga Maqedonia gjatë punës në hekurudhë

Një shtetas 33-vjeçar nga Maqedonia e Veriut ka humbur jetën në një aksident të rëndë në një linjë hekurudhore në afërsi të Zagrebit, në Kroaci.

Aksidenti tragjik ndodhi të dielën rreth orës 08:45, në mbikalimin hekurudhor Sava–Jakuševec, në vendbanimin Miçevec, pranë Velika Goricës.

Sipas policisë kroate, viktima ishte i punësuar në një kompani që kryente punime në infrastrukturën hekurudhore dhe kishte qëndrim të rregulluar në Kroaci.

Në momentin e aksidentit, në binarë po lëvizte një mjet motorik hekurudhor për mirëmbajtjen e infrastrukturës, i drejtuar nga një 59-vjeçar. Për arsye ende të panjohura, punëtori ka rënë në shina dhe ka marrë lëndime fatale.

Në vendngjarje është kryer ekspertizë nga policia, prokuroria dhe inspektorati për sigurinë në punë, ndërsa është përfshirë edhe Agjencia për Hetimin e Aksidenteve në Transport.

Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Zagreb. Institucionet kompetente po hetojnë rrethanat e aksidentit.