Angellov zbulon rastin e ryshfetit prej 500 eurosh: Qytetari më denoncoi kërkesën për para, sot u arrestua zyrtari

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, bëri të ditur se disa ditë më parë një qytetar e kishte njoftuar se një i punësuar në këtë institucion i kishte kërkuar 500 euro ryshfet për dhënien e një mendimi pozitiv për ndërtimin e një objekti.

Angellov tha se qytetarin e kishte udhëzuar që rastin ta denonconte në Departamentin për Krim të Organizuar të MPB-së, ndërsa përgëzoi aksionin e sotëm policor.

Ndërkohë, sipas informacioneve jozyrtare, policia ka arrestuar një drejtues sektori në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, i cili dyshohet se është kapur në flagrancë duke marrë 500 euro, me kartëmonedha të përgatitura paraprakisht nga policia.

Dyshimet janë se zyrtari kishte kërkuar dhe marrë para edhe në raste të tjera, në këmbim të mendimeve dhe miratimeve për ndërtimin e objekteve banesore dhe afariste.