Dymbëdhjetë aktivistë janë shoqëruar nga Policia në zonën e Manzës, pasi hodhën vezë në drejtim të automjetit me të cilin udhëtonte kryeministri Edi Rama.
Ngjarja është regjistruar mëngjesin e kësaj të shtune, teksa kryeministri po udhëtonte drejt Gjirit të Lalzit, ku po zhvillohet mbledhja e Asamblesë së Partisë Socialiste.
Një grup protestuesish i kishin zënë pritën eskortës së kryeministrit përgjatë rrugës. Në momentin kur automjeti me të cilin udhëtonte Rama kaloi në zonë, ata hodhën vezë në drejtim të tij.
Pas incidentit, policia ndërhyri dhe shoqëroi 12 aktivistët për në ambientet e saj.
Deri në këto momente nuk ka informacion të plotë mbi identitetin e tyre dhe akuzat konkrete që mund të rëndojnë ndaj tyre.
Ngjarja ndodh në të njëjtën ditë kur Partia Socialiste po zhvillon Asamblenë e saj në Gjirin e Lalzit, ku në fokus janë zhvillimet politike dhe situata brenda mazhorancës.



