Kosovë: Shqipja është “si gjuhë amtare” apo gjuhë amtare?

Mehmet ELEZI
– Oponencë e pakërkuar për Fjalorin e madh të gjuhës shqipe në linjë, 2026 -Qasja te Fjalori i madh i gjuhës shqipe (FMGJSH), që ka hedhur në linjë në fillim të këtij viti Akademia e Shkencave, nuk premton shumë entuziazëm. Ende pa dalë në jetë, foshnja ka një hije në mushkëri. Nuk u arrit bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kosovës.
Parimet e ndërtimit të punës, rreth të cilave u ngjiz mosmarrëveshja ndërmjet dy akademive, janë çështje themelore për vërtetësinë e Fjalorit. Duhej ulur për të gjetur kompromis. Dhe për të thirrur “nën armë” kontribuesit më qenësorë për gjuhën shqipe, pavarësisht nga vendi, krahu politik a kauzat që mbron njëri ose tjetri, si intelektual.
I takonte Tiranës me e trajtue Prishtinën si të barabartë. Sepse është e barabartë.
Në parathënien e FMGJSH flitet për bashkëpunëtorë “në të gjitha trevat shqipfolëse”. Nismat bashkëpunuese vetiake nuk mund ta zëvendësojnë bashkëpunimin institucional ndërakademik, nuk mund ta kompensojnë mungesën e tij.
Mbiemrin shqipfolës Fjalori e shpjegon: “1. Që e flet shqipen si gjuhë amtare, që flet shqip. Popullsi shqipfolëse. 2. Që e ka mësuar shqipen, që e përdor gjuhën shqipe. Politikan shqipfolës. Turistë shqipfolës”. Në thelb këtë shpjegim e ka pasur Fjalori i 1980-s.
Shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë së Veriut, të Malit të Zi e të Luginës së Preshevës, nuk janë thjesht “shqipfolës”. Ata janë shqiptarë. Ata nuk e flasin shqipen “si gjuhë amtare”. Ata e kanë shqipen gjuhë amtare, njësoj si shqiptarët e Republikës së Shqipërisë.
Kjo që ndodhi ndërmjet dy Akademive le diçka nga shija e hidhur e 1972-shit. Edhe atëherë nuk u bashkëpunua me akademikët nga Prishtina. Ata nuk u pyetën. Nuk iu tha një fjalë falënderuese, të paktën për mirësjellje, për projektin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe që paraqitën, hartuar me profesionalizëm dhe që i afronte dy dialektet më shumë se cilido projekt i mëparshëm a i mëvonshëm. Prej tyre u kërkua vetëm vota në Kongres, nëse doni. Në mos daçi, vazhdoni në rrugën tuaj, le të krijohen “dy gjuhë shqipe”, një e Kosovës, tjetra e Shqipërisë!
(nga libri “Fjalori i madh dhe Akademia e vogël”)