“90 me ZERO!” – BDI godet VLEN-in: “Aq lirë e shitët dinjitetin e shqiptarëve për karriget në Qeveri?!”

Dega e BDI-së në Kumanovë ka reaguar ashpër ndaj punësimeve të fundit në Spitalin e Kumanovës, duke akuzuar pushtetin për diskriminim etnik dhe VLEN-in për heshtje përballë përjashtimit të shqiptarëve.

“90 punësime dhe asnjë shqiptar! Një diskriminim i tillë nuk mbahet mend as në ish-Jugosllavi”, thuhet në reagimin e BDI-së, e cila kërkon hetim institucional për kriteret dhe procedurat e punësimit.

Kritikat më të ashpra i janë drejtuar VLEN-it, përfaqësuesit e të cilit, sipas BDI-së, vazhdimisht kanë deklaruar se cilësia duhet të ketë përparësi ndaj përkatësisë etnike.

“A thua vallë, në gjithë Kumanovën nuk paska pasur as edhe një motër medicinale shqiptare të kualifikuar?”, pyet BDI-ja, duke ngritur dyshime nëse heshtja e VLEN-it është çmimi politik për qëndrimin në koalicion me VMRO-DPMNE-në.

Nga BDI theksojnë se rreth 70 mijë shqiptarë gravitojnë drejt Spitalit të Kumanovës dhe kanë të drejtë të përfaqësohen në mënyrë të barabartë në këtë institucion.

“Nuk kërkojmë privilegje, kërkojmë barazi! Nuk kërkojmë lëmoshë, kërkojmë të drejtën që na takon!”, përfundon reagimi.