Nga 15 nëntori 2026 deri më 15 mars 2027, në Maqedoninë e Veriut hyn në fuqi detyrimi ligjor për posedimin e pajisjeve dimërore në automjete.
Shoferët që nuk e respektojnë këtë obligim rrezikojnë gjobë prej 45 eurosh në kundërvlerë denari.
Për automjetet e udhëtarëve me masë maksimale të lejuar deri në 3.500 kilogramë, ligji parasheh dy mundësi për përmbushjen e këtij detyrimi:
* Goma dimërore në të katër rrotat, me thellësi minimale të profilit prej 4 milimetrash.
* Goma verore me profil minimal prej 4 milimetrash, por me kusht që automjeti të ketë zinxhirë bore të përshtatshëm për rrotat lëvizëse.
Pra, përdorimi i gomave dimërore nuk është kushti i vetëm ligjor, pasi lejohet edhe përdorimi i gomave verore, nëse plotësohet kushti për zinxhirët e borës.
Autoritetet rikujtojnë se pajisjet dimërore nuk janë të rëndësishme vetëm për të shmangur gjobat, por mbi të gjitha për sigurinë në komunikacion, veçanërisht gjatë temperaturave të ulëta, reshjeve të shiut dhe borës.



