Kryeministri Hristijan Mickoski pajtohet që Prokuroria të hapë hetim për “Alta Bankën”, siç kërkon opozita. Ai thotë se pronari i bankës i ka plotësuar të gjitha kushtet që janë kërkuar prej tij për të filluar punën në vendin tonë.
“Absolutisht, unë pajtohem që Prokuroria të udhëheqë hetim dhe të shohim se çfarë do të thotë ai hetim, kjo është e para. Dhe e dyta, ne si Qeveri, çdo kush i cili i plotëson të gjitha kushtet ligjore, i cili i plotëson rregullat e punës, në fakt i njëjti ky Macura paraprakisht ka fituar të drejtë të punojë edhe në territorin e Austrisë, sepse rregullatori austriak i ka lejuar të bëhet pronar i një pjese të aksioneve në Addiko Bank. Gjithashtu, të njëjtit këtij Macura i është lejuar të hyjë në marrëdhënie tregtare dhe afariste me Raiffeisen Bank, një prej institucioneve financiare më të mëdha në rajon, gjë që vetëm tregon se ajo që flasin nga opozita paraqet estradë politike dhe folklor. Unë do ta trajtoj vetëm në atë kategori, se është estradë politike dhe folklor. Këtu ai i ka plotësuar të gjitha kushtet, i ka respektuar të gjitha kriteret dhe ka fituar të drejtën të punojë në tregun maqedonas“, tha sot kryeministri Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në Ohër, në hapjen e kapacitetit të ri prodhues të kompanisë “ASP – PAK” SHPK.
Sipas tij, Qeveria nuk mund të zgjedhë se kush të punojë dhe kush të mos punojë në vend, tha kryeministri dhe theksoi se me masa reciproke i shkruhet keq edhe ekonomisë, edhe marrëdhënieve politike me shtetin.
„Nëse nga LSDM-ja opozitare kanë zgjedhur në të kaluarën se kush mund të punojë dhe si të punojë, nëse vetëm disa firma të cilat kanë qenë të afërta me ta dhe me familjen e atëhershme, e dini cilën, kanë mundur të punojnë, ne nuk e bëjmë këtë, sepse secili që punon mbi një bazë të lirë, të tregut, demokratike dhe do të thosha tregtare, mund të punojë këtu. Imagjinoni nëse në atë mënyrë mendojnë tani te fqinjët tanë veriorë, të themi që kompanive të caktuara maqedonase sipas rregullit të reciprocitetit t’u ndalohet të punojnë, ja ‘Alkaloid’ të mos orientohet në shitjen e ilaçeve në Serbi, ‘ASP’ pak të mos shitë rrjeta në Serbi, ‘Vitaminka’ të mos shitë prodhime konditore në Serbi, ‘Stokomak’ të mos shitë dhe të mos formojë rrjetat e veta të shitjes atje, e kështu me radhë. Nëse ne hyjmë në marrëdhënie të tilla në bazë bilaterale me shtetet, atëherë mendoj se i shkruhet keq edhe ekonomisë, por edhe marrëdhënieve përgjithësisht politike në një shtet“, tha kryeministri Mickoski.
Ditëve të fundit ai ka qenë personalisht i fokusuar te lënda për “Alta Bankën” dhe tha se sot është një optimist i madh se do të ketë institucion financiar të interesuar që ta blejë dhe ta shpëtojë. LSDM kërkoi që Prokuroria Publike t’i hetojë menjëherë rrethanat nën të cilat “Alta Banka” hyri në tregun maqedonas, rolin e kryeministrit Hristijan Mickoski dhe veprimin e guvernatorit të Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, dhe u kërcënua me kallëzime penale nëse kompetentët nuk veprojnë.(INA)





