Nga 600 deri në 700 foshnja lindin para kohe çdo vit në Klinikën Universitare të Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Shkup. Këto të dhëna janë bërë publike nga vetë Klinika, me rastin e muajit nëntor, i cili i kushtohet ndërgjegjësimit për lindjet e parakohshme.
Sipas të dhënave të publikuara, çdo e dhjeta foshnjë në botë lind para kohe, ndërsa në nivel global regjistrohen rreth 15 milionë lindje të parakohshme në vit.
Nga Klinika theksojnë se pas çdo foshnjeje të lindur para kohe qëndron një betejë e vështirë, jo vetëm për mbijetesën e saj, por edhe për prindërit dhe personelin mjekësor.
“Janë të vegjël në trup, por të mëdhenj në guxim. Pas tyre qëndrojnë prindër që jetojnë mes frikës dhe shpresës, si dhe punonjës shëndetësorë që luftojnë për çdo jetë”, theksojnë nga institucioni.
Njëkohësisht, Klinika njofton se nga viti 2026, sipas kalendarit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, dita ndërkombëtare kushtuar foshnjave të lindura para kohe shënohet më 15 nëntor, në vend të datës së mëparshme, 17 nëntor.
Mesazhi i mjekëve është i qartë: Edhe jeta më e vogël meriton mundësinë më të madhe për të ardhmen.



