LSDM paralajmëron Sllaveskin: Denonco Mickoskin sa nuk është vonë, përndryshe do të përfundosh edhe ti si i akuzuar!

LSDM-ja opozitare ka ashpërsuar akuzat për rastin e Alta Bankës, duke i kërkuar guvernatorit Trajko Sllaveski të denoncojë kryeministrin Hristijan Mickoski për presionet e pretenduara gjatë procedurës së dhënies së lejes për bankën.

“Sllaveski pranoi se Mickoski kishte ushtruar presion për lejen e Alta Bankës. Nëse nuk e denoncon tani, më vonë do të jetë tepër vonë”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Partia opozitare pretendon se Alta Banka është përballur me kufizime në Evropë dhe refuzim nga autoritetet rregullatore në Mal të Zi, ndërsa përmend hetime në Serbi dhe dyshime për origjinën e kapitalit.

Sipas LSDM-së, Mickoski ka mundësuar hyrjen në vend të kapitalit të dyshimtë, të lidhur, siç pretendohet, me qarqe pranë presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Opozita kritikoi edhe Prokurorinë, duke e akuzuar për mungesë pavarësie dhe mosveprim.

“Sllaveski, denonco Mickoskin, përndryshe në kallëzimin penal do të jesh ti i akuzuari. Ora po troket!”, përfundon reagimi i LSDM-së.