“Vranjën e ke afër”, Shaqiri i përgjigjet Dimitrievskit, Dauti me shifra: Kujdes kur flet për shqiptarët!

Deklaratat e liderit të ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, i cili shqiptarët i cilësoi si “grup të vogël qytetarësh” dhe kundërshtoi përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës, kanë nxitur reagime të ashpra politike.
Rijad Shaqiri nga Aleanca për Shqiptarët iu përgjigj drejtpërdrejt Dimitrievskit, duke theksuar se shqiptarët nuk janë mysafirë, por popull shtetformues dhe pjesë përbërëse e shtetit.
“Ky shtet është edhe i shqiptarëve! Gjuha shqipe nuk është privilegj, por e drejtë. Nëse nuk të pëlqen ky realitet, Vranjën e ke afër”, deklaroi Shaqiri.
Ndërkaq, deputetja Ilire Dauti reagoi me shifra ndaj cilësimit të shqiptarëve si grup i vogël, duke rikujtuar se ata përbëjnë mbi 29 për qind të popullsisë së vendit, apo 54.4 për qind të numrit të maqedonasve.

Ajo i bëri thirrje Dimitrievskit të ketë kujdes kur flet për shqiptarët dhe gjuhën shqipe.
Reagimet vijnë pas kërcënimit të ZNAM-it për largim nga koalicioni qeveritar nëse provimi i jurisprudencës lejohet edhe në gjuhën shqipe.
Çështja pritet të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë, ndërsa propozimi aktual parasheh zhvillimin e provimit pjesërisht në shqip dhe pjesërisht në maqedonisht.