Komisioni Evropian (KE) raportoi protestat per provimin e jurisprudences në gjuhën shqipe, të drejtat gjuhësore dhe perfagesimi i drejtë mbeten problem

KE publikon raportin për Maqedoninë e Veriut: Korrupsioni pa ndëshkim, gjyqësori nën presion, reformat në bllokadë

Brukseli kritikon mungesën e rezultateve në luftën kundër korrupsionit, ndërhyrjet politike në drejtësi dhe ngecjen e ndryshimeve kushtetuese. Raporti evidenton edhe problemet me të drejtat gjuhësore të shqiptarëve dhe përfaqësimin e drejtë.
Komisioni Evropian ka publikuar raportin vjetor për Maqedoninë e Veriut, në të cilin evidenton ngecje serioze në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe procesin e integrimit evropian.
Sipas raportit, gjatë periudhës 1 shtator 2025 – 1 shtator 2026, vendi nuk ka shënuar përparim në luftën kundër korrupsionit. Brukseli paralajmëron se rastet e profilit të lartë vazhdojnë të zvarriten dhe shpesh parashkruhen, duke krijuar perceptimin e pandëshkueshmërisë.
Komisioni kritikon edhe ndryshimet në Kodin Penal, duke kërkuar miratimin e një Kodi të ri Penal dhe të Ligjit për Procedurën Penale.
Gjyqësori nën presion politik
Një tjetër shqetësim i raportit janë ndërhyrjet dhe presionet politike ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Komisioni vlerëson se sulmet publike nga zyrtarë të lartë politikë cenojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe ndarjen e pushteteve.
Problemi rëndohet edhe nga mungesa e kuadrove: në gjykata janë plotësuar vetëm 38 për qind e vendeve të parapara të punës. Sipas vlerësimeve institucionale, mungojnë edhe 221 gjyqtarë dhe 67 prokurorë publikë.
Ndryshimet kushtetuese mbeten në vendnumëro
Raporti konstaton se nuk është bërë përpjekje për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, të cilat parashohin përfshirjen e bullgarëve dhe komuniteteve të tjera në Kushtetutë.
Ky mbetet një nga kushtet kryesore për vazhdimin e fazës së ardhshme të negociatave me Bashkimin Evropian.
Brukseli evidenton edhe problemet që prekin shqiptarët
Në pjesën për marrëdhëniet ndëretnike, Komisioni vlerëson se situata mbetet përgjithësisht stabile, ndërsa Marrëveshja e Ohrit vazhdon të zbatohet.
Megjithatë, raporti evidenton probleme në zbatimin praktik të të drejtave gjuhësore dhe përfaqësimit të drejtë të komuniteteve joshumicë.
Në mënyrë të veçantë përmenden protestat e studentëve të drejtësisë, të cilët kërkuan mundësinë e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Po ashtu, Komisioni konstaton se ligji i ri për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, që duhet ta zëvendësojë mekanizmin „Balancuesi“, ende nuk është miratuar për shkak të mungesës së shumicës së Badenterit.
Rritje ekonomike, por larg standardit evropian
Ekonomia ka shënuar rritje prej 3,5 për qind në vitin 2025, ndërsa në gjysmën e parë të vitit 2026 rritja mesatare ishte 3,3 për qind.
Megjithatë, Brukseli vlerëson se rritja mbështetet kryesisht në konsum dhe kredi, ndërsa produktiviteti dhe investimet kapitale mbeten sfida.
BPV-ja për kokë banori, sipas fuqisë blerëse, ka arritur vetëm 43 për qind të mesatares së Bashkimit Evropian.
Në anën tjetër, Maqedonia e Veriut ruan harmonizimin e plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së.
Mesazhi kryesor i raportit është se përgatitjet teknike dhe reformat në letër nuk mjaftojnë. Brukseli kërkon rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit, pavarësinë e gjyqësorit dhe përmbushjen e obligimeve për vazhdimin e integrimit evropian.