Tragjedi e rëndë në Bogdanc: 17-vjeçarja gjendet e djegur në makinë, dyshohet se u vra nga i dashuri 21-vjeçar

Një tragjedi e rëndë ka tronditur Bogdancin, ku trupi i djegur i një vajze 17-vjeçare është gjetur brenda një automjeti të përfshirë nga flakët, ndërsa në afërsi është zbuluar edhe trupi i pajetë i të dashurit të saj 21-vjeçar.

Sipas informacioneve jozyrtare të televizionit Sitel, hetuesit dyshojnë se i riu mund ta ketë vrarë të miturën dhe më pas t’i ketë dhënë fund jetës duke u varur. Megjithatë, rrethanat dhe shkaqet e vdekjes ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht.

Rastin e bën edhe më shqetësues fakti se 17-vjeçarja dyshohet se kishte qenë viktimë e dhunës së vazhdueshme nga partneri i saj. Më 1 tetor, policia kishte arrestuar 21-vjeçarin pasi ai dyshohej se e kishte sulmuar fizikisht vajzën në shtëpinë e tij. Ende nuk dihet se çfarë masash ishin ndërmarrë më pas nga institucionet kompetente.

Tragjedia u zbulua rreth orës 18:40, në lokalitetin „Içeva Çeshma“, pasi një banor kishte denoncuar një automjet të djegur dhe një trup të pajetë pranë tij.

Policia identifikoi të riun me inicialet V.G. (21), ndërsa pas shuarjes së zjarrit, brenda automjetit u gjet edhe një trup i karbonizuar.

Me urdhër të Prokurorisë së Gjevgjelisë, trupat janë dërguar për autopsi, ndërsa hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Rasti ngre pikëpyetje serioze për trajtimin institucional të denoncimeve të mëparshme për dhunë ndaj të miturës, ndërkohë që përgjegjësitë eventuale mbeten për t’u sqaruar nga hetimet.