Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se nga e enjtja, 5 nëntor 2026, qytetarët që kanë llogari pagese në ALTA Banka SHA Manastir, por nuk posedojnë kartela bankare, do të mund t’i tërheqin paratë në sportelet e filialit kryesor të bankës në Manastir.
Për realizimin e kësaj procedure, në lokacionin e bankës në rrugën “Dobrivoje Radosavleviq” nr. 21 do të funksionojnë disa sportele të dedikuara për këtë shërbim. Mundësia e tërheqjes së parave u dedikohet kryesisht pensionistëve dhe përfituesve të ndihmës sociale, të cilët pagesat i pranojnë përmes llogarive në këtë bankë, por nuk kanë kartelë bankare.
Shuma që mund të tërhiqet është deri në 20.000 denarë për një periudhë dyjavore, në përputhje me kufizimin e përcaktuar nga autoritetet.
Për të përballuar numrin e klientëve, nga 6 nëntori, përfshirë edhe të shtunën, më 7 nëntor, filiali do të punojë me dy ndërrime.
Shërbimi nuk do të ofrohet pa një orar paraprak. Qytetarët do të marrin njoftime përmes SMS-mesazheve, ku do të informohen për datën dhe kohën e saktë kur duhet të paraqiten për tërheqjen e mjeteve.
Banka Popullore u bën apel klientëve që të respektojnë terminet e caktuara dhe të mos shkojnë në filial jashtë orarit të tyre, në mënyrë që të shmangen grumbullimet dhe pritjet e panevojshme. Për personat që nuk mund të paraqiten në kohën e caktuar, do të organizohen termine alternative.
Autoritetet sqarojnë se në këto sportele do të mundësohet vetëm tërheqja e parave të gatshme, ndërsa shërbimet dhe transaksionet e tjera bankare nuk do të jenë në dispozicion.
Nga Banka Popullore bëjnë të ditur se po përgatiten edhe zgjidhje për hapjen e sporteleve të ngjashme në qytete të tjera të vendit, me qëllim që pensionistët dhe përfituesit e ndihmës sociale të kenë qasje në mjetet e tyre financiare.
Situata me ALTA Bankën në Maqedoninë e Veriut u përkeqësua pas zhvillimeve në bankën mëmë në Serbi, së cilës Banka Popullore e Serbisë ia hoqi licencën e operimit. Si pasojë, më 1 nëntor, Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut vendosi ALTA Bankën në Manastir nën administrim të përkohshëm për një periudhë tre mujore dhe emëroi tre administratorë për të analizuar gjendjen financiare të institucionit dhe për të propozuar hapat e ardhshëm.
Gjatë kësaj periudhe, klientët janë përballur me kufizime në qasjen ndaj parave të tyre, përfshirë tërheqjet dhe transferet, ndërsa degët e bankës kanë qenë përkohësisht të mbyllura.
Të dhënat e Bankës Popullore tregojnë se rreth 11.500 pensionistë i marrin pensionet përmes ALTA Bankës, ndërsa afërsisht 3.500 prej tyre nuk kanë kartela bankare. Pikërisht për këtë kategori është organizuar mundësia e tërheqjes së mjeteve në sportelin kryesor në Manastir.
Administrimi i përkohshëm pritet të japë një pasqyrë më të qartë për gjendjen financiare të bankës dhe perspektivën e saj. Ndër mundësitë që po shqyrtohen për zgjidhjen e situatës është edhe sigurimi i një investitori të ri.





