Bullgaria kthen 19 tonë mollë nga Maqedonia, analizat zbulojnë pesticide mbi normat e lejuara

Një ngarkesë prej 19.350 kilogramësh mollë nga Maqedonia e Veriut është ndaluar në Bullgari, pasi analizat laboratorike kanë zbuluar mbetje pesticidesh mbi nivelet maksimale të lejuara.

Agjencia Bullgare për Sigurinë Ushqimore (BABH) ka vendosur që molla të mos lejohet të hyjë në tregun e Bashkimit Evropian dhe e gjithë ngarkesa të kthehet në vendin e origjinës.

Mospërputhja është zbuluar gjatë kontrolleve të shtuara mbi pemët dhe perimet e freskëta që importohen në Bullgari.

Autoritetet bullgare njoftojnë se kontrollet do të vazhdojnë për të parandaluar hyrjen në treg të produkteve ushqimore që nuk i plotësojnë standardet e sigurisë.