Fund dilemave për vinjetat tek “Patarinat”: Shoferët mund të paguajnë autostradën për çdo kilometër!

Maqedonia e Veriut, të paktën për momentin, nuk planifikon vendosjen e vinjetave vjetore për shfrytëzimin e autostradave. Në vend të tyre, po shqyrtohet një sistem elektronik që do t’i tarifojë shoferët sipas kilometrave të përshkuar.

Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, deklaroi se mbi 70 për qind e automjeteve vendase nuk dalin jashtë komunës ku janë regjistruar, ndërsa vetëm rreth 30 për qind shfrytëzojnë autostradat dhe rrugët ekspres. Sipas tij, vinjeta e detyrueshme do të ishte barrë financiare edhe për qytetarët që rrallë udhëtojnë në autostradë.

Një faktor tjetër janë të ardhurat nga automjetet e huaja. Korridori 10 shfrytëzohet nga rreth 4,5 milionë automjete në vit, ndërsa gjatë vitit 2025 nga pagesat rrugore janë grumbulluar rreth 67,6 milionë euro.

Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore po analizon vendosjen e një sistemi elektronik ku pagesa do të llogaritet sipas distancës së përshkuar. Ky model po shqyrtohet për Korridorin 8, krahas zgjerimit të përdorimit të pajisjeve M-TAG.

Ende nuk dihet nëse do të ketë abonime apo tarifa të privilegjuara për shoferët që udhëtojnë çdo ditë.

Për momentin, orientimi është drejt pagesës elektronike sipas kilometrave, ndërsa vinjetat vjetore nuk janë në plan.