Gjëma e Mëkatit

Shkruan: Zejnepe Alili Rexhepi

Gjersa pritej kohë më e mirë, kudo flitej, aktrohej dhe sërish flitej e flitej… Skena mbushej plot e përplot mumje dhe vazhdohej të flitej e përflitej, por kësaj radhe, jo me fjalor politik, e aq më pak filozofik. Teatri i mumjeve ishte diç tjetër, i katranosur nga fëlliqësitë e tyre të natës dhe kotësia e ditës. Askund nuk dukej kopshti i premtuar, parajsa e tokës. Rreth e rrotull sorollatej djalli.

-Një Zot e di, se kur do të ndryshojnë! – pëshpëriste shenjtorja e përkulur në altar dhe vijonte të lutej qetë – qetë me fytyrën e dylltë dhe sytë e përlotur. Pas dhjetëra lutjesh, sërish i shihte shtëpitë dhe i përfytyronte banorët në to, sa të lodhur e të pashpresë dukeshin.

-Ç’ju ka ndodhur këtyre, o Perëndi?! – e pyeste veten, duke iu ngjallur neveri nga pijetoret e shumta dhe vendet e dëfrimit, veçmas nga bastoret, ku paraja derdhej lumë. Qyteza kishte marrë hije të mistershme e të neveritshme.

Ndodhitë e shumta po ktheheshin në legjenda…

Një baba, me sytë gaca nga zemërimi, e kërkonte të bijën, të rrëmbyer a të arratisur prej muajsh që kush e di se ku ndodhej?! Një nënë kërkonte drejtësi për të birin e burgosur, padrejtësisht… Një plak e siguronte bukën e përditshme në kontejnerin e lagjes së të pasurve. Një djalë me diplomë inxhinieri punonte për pak para me mjeshtrin autodidakt të ndërtimit të pallateve, ndërsa një vajzë kërkonte punë, e veshur mo zot ma keq, vetëm të mos binte në sy për bukurinë e saj, pasi nuk donte të ishte një trëndafilkë e vyshkur në këtë shoqëri pa vlera. Një tjetër….

Marisë i kujtohej se si gjërat kishin filluar të lëmshëzohen një ditë feste të Mbarsjes Hyjnore… Që atëherë, mëkati përligjej në këtë botë dogmash. Tani më, as nuk pëshpëritej, por flitej me zë të lartë. Në zhurmën e padurueshme të tyre, çdo gjë thuhej trumbetueshëm. Jeta e njerëzve të ndershëm përligjej pamëshirshëm, larg nga heshtja dhe filozofia e maskave të ditës, të atyre mumjeve në parakalim.

E shihni ç’bëjmë për ju, për të ardhmen tuaj?! – çirreshin me sa fuqi kishin, të ashtuquajturit liderë…
Turma i dëgjonte në heshtje…

E kush guxonte ta thoshte, nëse vlera e “veprave” të tyre do të ishte antihistorike, e ngritur mbi gërmadhat e kotësisë. Përtej kësaj, gjithçka do të ishte gjakim.

***
Në puhizë mendimesh, asaj i thurej filli i rrëfimit gjersa e përshkonin ndjenja të pështjelluara që kishin të bënin me të panjohurën e qytezës së anatemuar, qytezë e mbështetur në vargmale “mëkatesh”. Si nga kupa e qiellit i numëronte pullazet e shtëpive, duke i veçuar ato, në të cilat banorët bënin kryqin përpara ikonave të shenjtorëve dhe në të tjerat që mbeteshin, e dinte që njerëzit faleshin mbi sexhadet me mbishkrime arabo – turko.

I ngriti sytë kah qielli, me duart e lidhura si për lutje. Kishte kohë që e shqetësonin këto mendime, një therje si e shpuar thike ia përshkonte tejpërtej kraharorin. Me durim duhej të niste e të rrëfente dhembjen për braktisjen e kryqit, po ky rrëfim nuk do të përkonte me thënien: “Unë jam zanafilla, ti je asgjëja”, sepse kjo kaherë dhemb më shumë se dashuria për tjetrin që e ngjizi botën. Maria ishte përbe në dashurinë njerëzore, pavarësisht se në sytë e njerëzve shihte egërsi.

Qyteza e lashtë, me gjurmë të pakta të mbetura nga qytetërimet e dikurshme, ishte ndrydhur në frikën e mëkateve. Zëri kumbues i autoparlantëve të xhamive dhe ding – dangu tmerrues i kambanoreve të kishave ishte therës. Sa më e zëshme dhe imponuese bëhej zhurma, aq më tepër banorët largoheshin nga faltoret dhe e tundnin kokën me dyshim për dekretin e tempujve të botës së përtejme. Në çdo pëllëmbë të vendit ngriheshin kryqe ose flamuj të identitetit të vonuar, ndërkaq nëpër lagje, brenda natës ndërtoheshin xhami me minare të larta që ngriheshin drejt kupës së qiellit. Banorët ndiheshin të stërlodhur nga jeta e shthurur e kësaj bote me banalitetet e shumta të përditshmërisë. Asgjë s’ua zbuste shqetësimin dhe nga tmerri që e ndrydhte vendin s’e dinin si do të vente rrjedha e ngjarjeve.
Maria e kuptonte fort mirë shqetësimin e njerëzve dhe arsyen e besimit të tyre të brishtë, pasi zhgënjimi u qe harkuar në shpirt, për shumë shekuj, nga kalorësit e djallëzisë: grekut, turkut, sllavit…

Dhembja qe bërë shtizë në shpirtin e banorëve, meqë dita dhe nata prej kohësh i patën ndërruar rolet. Ditëve, të cilat qysh moti dukeshin të shkurtra dhe pa rëndësi, ecnin ata, banorët, si mumje që s’e vrisnin mendjen për pamjen e tyre si prej kufomash të gjalla. Jeta ishte e vdekur në sytë e tyre, zhgënjimi po aq. I përkushtoheshin dashurisë për botën tjetër, ëndërronin me sy hapur afërsinë me engjëjt, këto krijesa që i joshnin njerëzit për në amshim.

Historitë janë të shumta, ku u gjendet filli atyre?! – mendoi shenjtorja. Mirëpo, filli duhej gjendur disi…

Në kohët e lashta ndodhnin histori të habitshme, si “Acta sactorum” dhe po t’i zbuloje, qoftë edhe pa dashje, ishe “një qen bir qeni”! Po as sot, këto histori, nuk janë sajesa njerëzish, kur vërtet klanet e qenve janë më të fortët dhe me to janë mbushur rrugët, kafenetë, teatrot, kuvendet…

Historitë e sotme kanë ngjyra politike, andaj banorët ndihen kaq mosbesues e shpresëhumbur. Qenë lodhur së trajtuari si minj eksperimentalë. Po, sado që ishin ndrydhur në vete prapë u duhej një gjuhë… Si mund të jetonin banorët pa gjuhë?!

Minjtë e racës politike nuk e vrisnin mendjen për këtë… Nejse, ishte e drejta e tyre, nëse mendonin se nuk duhej shërbyer minjve eksperimentalë, që as votën nuk dinin ta mbronin. Ky mendim mbase, i ngushëllonte minjtë e hierarkisë.

Ditën, këta të hierarkisë, binin vetë në kurthin e belbëzimeve të pakuptimta, të një gjuhe gjembore, filozofia shterpe e së cilës të gjithë i bën që t’i frikësohen jetës për të mos nxitur llavën e mëkatit të kësaj bote. Si gjithmonë, prej tyre dilnin vetëm lajme të (pa)zakonshme. Pas premtimit të tyre edhe jeta bëhej e llahtarshme, ngase ata nuk ishin rrahur me vaj e uthull për disa punë.

Maria i shihte të gjitha, po si të merrte guxim e të thoshte, z. kryetar, e mbani mend kohën e luftës?
-Banorët kishin një ideal përtej jetës. E donin lirinë! E tani, për një copë bukë e strehë, të vërsulen si qentë.

Pa e shikuar në sy, por jo për çështje sedre, kryetari, do të bënte shenjë të mos e bezdisnin. Ajo nuk do të fyhej nga gjesti i tij, ishte mësuar ta gjuanin edhe me gurë. Pastaj, nuk kishte pse të fyhej kur, ai dhe soji i tij qysh moti i kishin mbyllur veshët dhe dritaret e pallateve për të mos e ndier mllefin e rebeluesve…, por jo të gjithë mund të heshtnin! Maria, nuk ishte vetëm ikonë e vendosur midis ikonave të shenjtorëve tjerë, ishte veç një grua, që nuk e duronte dot atë katrahurë.

Po netët? Netët sterrë të ngjallnin trishtim, kur me tisin e vet e mbështillnin tokën dhe qiellin, sikur të ishin një, brumosur nga i njëjti tharm. Ky ishte sfondi i zakonshëm i skenës ku loznin mumjet e qytetit, të lodhur nga heshtja djallëzore e ditës dhe kotësia e natës. Të ishin këta klerikë smirëzinj, diplomatë kokëtrashë, intelektualë frikacakë, komandantë të vetëshpallur apo fshatarë të pagdhendur?! S’e dinte! Ajo, pa ngurrim përpiqej t’ua çirrte maskat, por ashtu e vetmuar fuqia nuk i mjaftonte, dukej e lodhur, me një limonti shqetësuese në fytyrë. Kështu, çështjet zvarriteshin e mbylleshin për pak vite, e ata përfitonin kohë edhe për ndonjë mandat.

Maria, duket se ka sjellë dritë që t’i shmang hijet e trishtimit, me qartësinë hyjnore që udhëton horizonteve nëpër shtigjet e udhëve të qumështit, itinerar që të paktën nuk e njihte djalli.

Me qetësi prej shenjtoreje mendoi se është fisnike vetëm ndjenja që mbjell dashuri aty ku trishtimi ka lëshuar sythe. Kur ëndrrat e mumjeve merrnin udhë drejt botës, ëndrrat e përtejbotës mbeteshin veç në imagjinatë. Njeriu mbetet përgjërues i lojës së fatit që luhet me skenarin e vjetër të së bukurës Evë, pa e vrarë mendjen për shenjtërinë Mëri!

Në të panjohurën e mëkatit, prej kohësh, ngulfateshin banorët e qytezës së anatemuar. Ishin lodhur nga marrëzitë e njerëzve, sprovat historike, heshtja e Zotit, blasfemitë…, e mbi gjithçka që mëkati ngrihej si ndonjë kryevepër.

Turma e lodhur vazhdonte t’i dëgjonte në heshtje.