Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, të premten ka nënshkruar vendimet për suspendimin e gjashtë punonjësve policorë, pas dyshimeve për përdorim të tepruar të forcës fizike ndaj dy të rinjve shqiptarë gjatë ngjarjes së 7 tetorit në Shkup.
Pas shqyrtimit të incizimeve, dëshmive dhe kontrolleve të realizuara nga Kontrolli i brendshëm, janë konstatuar parregullsi të rënda në veprimet e policëve.
Iseni ka theksuar se uniforma policore nënkupton përgjegjësi për mbrojtjen e qytetarëve dhe se çdo keqpërdorim i saj cenon dinjitetin e tyre, besimin te policia dhe autoritetin e shtetit.
“Si zëvendësministër i Punëve të Brendshme, qëndrimi im është i prerë: përdorimi i forcës është i papranueshëm dhe çdo shkelje e konstatuar kërkon përgjegjësi”, pati deklaruar Iseni.
Ai ka thënë se përgjegjësia nuk përfundon me suspendimin, pasi institucionet kompetente po vazhdojnë procedurat për dokumentimin e plotë të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësisë eventuale.
“As uniforma, as funksioni dhe as përkatësia nuk e përjashtojnë askënd nga zbatimi i ligjit”, ka deklaruar Iseni duke shtuar njëjerësh se qytetarët meritojnë siguri, dinjitet dhe një polici që e ushtron autoritetin me profesionalizëm.



