Avokati dhe ish-gjyqtari Vladimir Tufegxhiq kritikoi ashpër Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, duke e cilësuar si hallkën më të dobët të Qeverisë për transparencë. Reagimi i tij vjen pasi ministria ia refuzoi kërkesën për shqyrtimin e një lënde që lidhet me diploma të dyshuara si të falsifikuara dhe të anuluara.
Tufegxhiq deklaroi se, pas gati 34 vitesh karrierë si avokat dhe gjyqtar, për herë të parë është përballur me refuzimin e së drejtës për të shqyrtuar një lëndë. Kërkesa ishte dorëzuar më 14 maj 2026, ndërsa refuzimi, pas gati pesë muajsh, u arsyetua me pretendimin se autorizimi nuk ishte mjaftueshëm i saktë.
Sipas tij, rasti po trajtohet nga Prokuroria Themelore Publike në Manastir, ndërsa vendimet e ministrisë janë anuluar përmes procedurave ligjore. Dokumentet i kishte kërkuar për nevojat e mbrojtjes në procedurën përkatëse.
Avokati ngriti edhe akuza serioze, duke pretenduar se një person që prezantohej si inspektor arsimor dhe që lidhej drejtpërdrejt me rastin, e kishte kërcënuar një dëshmitar përmes telefonit dhe i kishte kërkuar të ndryshonte deklaratën. Sipas tij, rasti është raportuar dhe evidentuar.
Tufegxhiq kërkoi edhe përgjegjësi politike nga ministri i Arsimit, duke pretenduar se ai kishte nënshkruar vendimet kontestuese, të cilat më pas ishin anuluar në procedura ligjore.



