Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, sot do ta përfaqësojë Kosovën në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), ku do të shqyrtohet raporti i fundit për zhvillimet në vend.
Mbledhja pritet të fillojë në orën 21:00, sipas kohës së Kosovës, ndërsa në fokus do të jenë zhvillimet politike dhe gjendja e sigurisë gjatë gjashtë muajve të fundit.
Në fillim të mbledhjes, përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Peter Due, pritet të prezantojë raportin e fundit për Kosovën, i cili përfshin periudhën nga 16 marsi deri më 15 shtator të këtij viti.
Pritet të shihet nëse Konjufca do ta kundërshtojë para ambasadorëve të fuqive të mëdha, anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, dënimin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Gjykata Speciale.
Më 16 shtator, Konjufca kishte marrë pjesë në seancën gjyqësore, në të cilën shkalla e parë e Gjykatës Speciale i dënoi Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin me gjithsej 81 vjet burgim.
Pas seancës, ai e kishte cilësuar vendimin si një gjykim të tmerrshëm për Kosovën dhe luftën çlirimtare, duke e kundërshtuar atë.
“E vlerësojmë si një gjykim të tmerrshëm për Kosovën, për popullin tonë, për luftën tonë çlirimtare. Populli i Kosovës vet e ka përjetuar luftën dhe e di se çfarë është lufta çlirimtare e Kosovës dhe ne e dimë që nuk ka pasur kurrfarë mekanizmi kriminal për ta cenuar asnjë popullatë brenda Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nuk mund të gjesh kurrfarë programi, kurrfarë qëllimi brenda UÇK-së me këto të cilat po pretendon gjykata. Është një vendim vërtetë i trishtueshëm, i pa drejtë, i pamerituar për katërshen udhëheqëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Është vërtetë diçka për të cilën do të jetë një dëm shumë i madh edhe për narracionin tonë edhe për shtetin e Kosovës”, kishte thënë Konjufca.
Ndërkohë, në fillim të këtij muaji, Konjufca është emëruar kryesues i Grupit Punues për hartimin dhe harmonizimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e Apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Kjo është hera e dytë që Konjufca përfaqëson Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ai kishte marrë pjesë edhe në mbledhjen për Kosovën më 9 prill 2026.



