Fejzi HAJDARI
Edi Rama është shembulli më ilustrues për të kuptuar se përse qarqe të caktuara të fuqishme ndërkombëtare kanë pasur nevojë për të ashtuquajturit stabilokratë: liderë që i kanë promovuar, i kanë kultivuar dhe i kanë mbajtur në pushtet, jo domosdoshmërisht sepse kanë qenë demokratë të mirë, por sepse kanë ditur të garantojnë stabilitetin e dëshiruar dhe të zbatojnë marrëveshjet e interesat e caktuara politike.
Rama nuk është rast i izoluar. Në këtë model politik mund të përmenden Viktor Orbáni në Hungari, Robert Fico në Sllovaki, Aleksandar Vuçiqi në Serbi, ndërsa në Maqedoninë e Veriut, dikur, dyshja Gruevski–Mijallkov, e zhytur në skandale të rënda korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin.
Por stabilokratët nuk janë të përjetshëm?
Ata janë të dobishëm për aq kohë sa u shërbejnë interesave të caktuara. Kur konsumohen politikisht, kur humbin kontrollin mbi shoqërinë ose kur kostoja e mbështetjes së tyre bëhet më e madhe se përfitimi, mbështetja ndërkombëtare mund të kthehet në heshtje, distancim, madje edhe presion për largim.
Dhe pikërisht këtu qëndron pyetja që sot lidhet drejtpërdrejt me Edi Ramën: a po i vjen fundi politik edhe njërit prej stabilokratëve që për vite me radhë e ka shitur kontrollin mbi pushtetin si stabilitet dhe përqendrimin e pushtetit si aftësi shtetformuese?
Nëse zhvillimet në Tiranë po sinjalizojnë dobësimin e tij, atëherë ato mund të shënojnë jo vetëm krizën e një kryeministri, por edhe konsumimin e një modeli të tërë politik.
Për shkak se stabilokracia funksionon mbi një paradoks të pistë, lideri dobëson institucionet, kap pushtetin, toleron ose ushqen rrjete klienteliste dhe pastaj paraqitet si garant i vetëm i stabilitetit. Ndërkohë, disa aktorë ndërkombëtarë mund ta konsiderojnë partner të besueshëm, pikërisht sepse ai kontrollon gjithçka dhe mund t’i imponojë vendimet pa shumë pengesa të brendshme.
Kush paguan faturën? Qytetari!
Qytetari që rrjepet nga korrupsioni, varfërohet nga keqqeverisja, largohet nga vendi dhe mbetet peng i një sistemi ku pushteti, interesat ekonomike dhe mbështetja politike ndërthuren në kurriz të tij. Ndërsa stabilokrati shpërblehet me legjitimitet, fotografi diplomatike dhe lavdërime për “stabilitetin”, qytetarit i kërkohet të durojë edhe një mandat tjetër.
Prandaj, nëse Rama po shkon drejt fundit të ciklit të tij politik, ky nuk duhet parë thjesht si fundi i një individi. Duhet parë si një paralajmërim për të gjithë ata liderë që besojnë se mbështetja ndërkombëtare mund t’i mbrojë përgjithmonë nga pakënaqësia e qytetarëve dhe përgjegjësia për qeverisjen.
Stabilokratët nuk janë të fortë sepse janë të pakapshëm. Janë të fortë për aq kohë sa dikush ka interes t’i mbajë në këmbë.
Dhe kur ky interes zhduket, edhe “miku i pazëvendësueshëm” mund të kthehet brenda natës në një barrë politike.
Në fund, historia nuk i mban mend për sa kohë i përshëndetën në korridoret diplomatike. I mban mend për atë që u bënë qytetarëve të tyre.
Stabilitet për pushtetarët, interesa për të fuqishmit, fatura për qytetarët. Ky është thelbi i stabilokracisë!



