Alarm te Onkologjia në Shkup: Pacientet me kancer gjiri mbeten pa terapinë e nevojshme

Pacientet me kancer gjiri, të cilat kishin të planifikuar terapinë „Phesgo” në Klinikën e Onkologjisë në Shkup, kanë mbetur pa ilaçin për shkak të problemeve me furnizimin. Ende nuk dihet se kur do të sigurohet terapia dhe kur do të rifillojnë trajtimet.
Klinika u kërkoi falje pacienteve të prekura dhe kërkoi mirëkuptim e durim, duke pranuar se vonesa ka shkaktuar shqetësim. Megjithatë, nuk dha një datë konkrete për sigurimin e ilaçit.
Sipas institucionit, problemi lidhet me shpërndarjen dhe dorëzimin e medikamentit, procese që, siç thonë nga Klinika, janë jashtë kontrollit të drejtpërdrejtë të saj. Autoritetet shëndetësore nuk kanë sqaruar se kush mban përgjegjësi për vonesën.
Më 8 tetor, drejtori i Klinikës, Igor Stojkovski, kishte paralajmëruar se mund të ketë vonesa të vogla për shkak të problemeve në shpërndarjen e terapive. Ai kishte bërë të ditur se po shqyrtohet edhe mundësia e prokurimit të disa terapive për një periudhë trevjeçare, me gjasë përmes tenderit publik të vitit 2027.
„Phesgo” përdoret për trajtimin e disa formave të kancerit të gjirit HER2-pozitiv dhe përmban substancat aktive pertuzumab dhe trastuzumab. Ilaçi jepet me injeksion nën lëkurë, si pjesë e trajtimit onkologjik të përcaktuar nga mjeku.