Rritje pagash për ushtarët nga 1 janari, zgjidhje për ata që mbushin 45 vjeç

Ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë së Veriut, Vlado Misajllovski, ka paralajmëruar rritje të pagave për pjesëtarët e Armatës dhe punonjësit e Ministrisë së Mbrojtjes nga 1 janari, si dhe një zgjidhje afatgjatë për statusin e ushtarëve profesionistë që mbushin 45 vjeç.

Gjatë ceremonisë në kazermën “Boro Menkov” në Kumanovë, ai bëri të ditur se propozimi për ushtarët mbi 45 vjeç është shqyrtuar në kolegjiumin qeveritar dhe pritet të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë.
Sipas Misajllovskit, ushtarët do të mund të vazhdojnë karrierën deri në pensionim, ndërsa parashihet edhe marrëveshje e re kolektive me sindikatat, pa cenuar të drejtat ekzistuese të punonjësve.
Ministri njoftoi gjithashtu se gjatë mandatit të tij janë paguar mbi 26 milionë euro për çështje gjyqësore që lidhen me vitet 2019 dhe 2020.