Revolta e studentëve, policia pranon rrëmbimin e të riut, 47 të arrestuar

Janë 47 të arrestuar dhe 92 persona që ndiqen nga policia pas revoltës që tashmë ka hyrë në ditën e tretë.

Gjatë gjithë ditës dje policia ka kryer arrestime të dhunshme, ndërsa videot e publikuara në media kanë bërë publike dhe një skenë rrëmbimi mafioz të një protestuesi. Ky i fundit kapet me forcë nga persona me rroba civile dhe futet në një furgon pa logo policie.

Policia e pranon se ka shoqëruar protestuesin por nuk jep argumente pse e ka kryer në këtë mënyrë.

Gjithashtu shqetësohet për të identifikuar se personi I shoqëruar nuk është vajzë por djalë.

Ndërkohë po mbrëme pamje makabre janë publikuar në rrjetet sociale ku dukej trajtimi çnjerzor që po u bëhet adoleshentëve të arrestuar nga policia e Tiranës.

“Në lidhje me disa video të publikuara në rrjetet sociale, ku pretendohet se disa civilë kanë shoqëruar me forcë një shtetase, Policia e Tiranës sqaron se personi i shoqëruar është mashkull dhe jo femër.

Shoqërimi është kryer nga punonjës të Policisë Kriminale, në kuadër të veprimeve të ndërmarra për identifikimin dhe shoqërimin e personave të dyshuar për përfshirje në veprimet e kundërligjshme gjatë protestës, pasi dyshohet se ky shtetas drejtonte tubuesit dhe gjuante me zare metalikë punonjësit e Policisë dhe institucionet” thuhet në njoftimin e policisë të publikuar mbrëmë vonë.