Deri ku mund të shkojë brutaliteti i atyre që paguhen me taksat tona për të na mbrojtur?
Një denoncim i mbërritur në redaksinë tonë ngre akuza tronditëse ndaj Policisë së Shtetit, e cila dyshohet se ka kaluar çdo kufi të ligjit dhe të njerëzores, duke përdorur kabllo elektrike alumini me seksion 70 mm² për të goditur protestuesit.
Nuk bëhet fjalë për mjetet standarde të punës së forcave të rendit, por për një kabllo të trashë, të rëndë dhe me forcë të madhe goditëse, e cila mund të shkaktojë dëmtime të rënda fizike, përfshirë fraktura të kafkës dhe trauma të pakthyeshme.
Një mjet i tillë nuk ka absolutisht asnjë vend në duart e strukturave shtetërore që thirren për të garantuar sigurinë publike.
Ndërkohë që të rinjtë dhe qytetarët e një prej vendeve më të varfra të Europës dalin në sheshe për të kërkuar një të ardhme më të mirë, përballë tyre nuk ndodhet më një forcë që ruan rendin, por një repart ndëshkimor.
Në vend që të japë llogari për këtë skandal, drejtori i Policisë, Keno, duket se e ka kthyer institucionin në një kantier elektrik, ku kabllot e tensionit të lartë shërbejnë si argumenti kryesor i dialogut me qytetarët.
Kur shtrohet pyetja se si ka mundësi që protestuesve u serviret kjo «menu» energjetike në vend të respektimit të të drejtave kushtetuese, Keno hesht, duke u fshehur pas uniformave që, sipas denoncimit, kanë goditur qytetarët.



