Gjermania po përballet me problemin shqetësues të martesave të fëmijëve. Në landin Baden-Vyrtemberg, që nga viti 2012 janë regjistruar 358 martesa ku njëri ose të dy bashkëshortët kanë qenë të mitur, ndërsa vetëm tetë prej tyre janë anuluar me vendim të formës së prerë nga gjykatat, raporton 4news.mk, duke iu referuar Euronews.
Të dhënat janë publikuar pas një pyetjeje parlamentare drejtuar autoriteteve rajonale dhe kanë të bëjnë me martesa të lidhura jashtë Gjermanisë.
Sipas administratës rajonale në Tybingen, tetë martesat janë anuluar gjatë periudhës 2018–2024.
Ndër rastet më tronditëse është ai i një vajze 11-vjeçare nga Iraku, e martuar me një bashkëkombës 17-vjeçar. Martesa u anulua në vitin 2020. Dy vjet më parë, gjykata kishte anuluar edhe martesën e një vajze 14-vjeçare nga Afganistani me një burrë 30-vjeçar.
Gjatë vitit 2024 janë anuluar edhe dy martesa të tjera: njëra mes një gjermaneje 16-vjeçare dhe një shtetasi pakistanez 25-vjeçar, ndërsa tjetra mes një vajze siriane 16-vjeçare dhe një burri 27-vjeçar nga Siria.
Shumica e martesave nuk janë anuluar
Nga 350 rastet e tjera, shumica janë mbyllur për arsye të ndryshme, përfshirë vdekjen e njërit bashkëshort, arritjen e moshës madhore, mosfillimin e procedurës për anulim ose lidhjen e një martese të re jashtë vendit.
Në regjistrat e vitit 2023 figuron edhe rasti i një vajze 12-vjeçare afgane, e martuar me një burrë 21-vjeçar. Janë evidentuar gjithashtu martesa të vajzave 13 dhe 14 vjeçe, ndërsa gjatë vitit 2026 janë regjistruar raste të vajzave 16 dhe 17 vjeçe të martuara me burra të rritur.
Ministria e Brendshme ka njoftuar se në momentin e dorëzimit të të dhënave nuk kishte procedura aktive gjyqësore për anulimin e martesave të fëmijëve.
Gjermania ka miratuar ligjin kundër martesave të fëmijëve në vitin 2017, ndërsa në vitin 2024 Bundestagu vendosi rregulla shtesë për mbrojtjen e të miturve në martesat e lidhura jashtë vendit.
Deputetët kërkojnë masa më të ashpra
Deputeti Nikolaus Butagolu e cilësoi situatën si problem serioz për të cilin nuk flitet mjaftueshëm.
Ndërkohë, deputetja Emeli Knor paralajmëroi se martesat e fëmijëve rrezikojnë sigurinë dhe të ardhmen e të miturve, duke kërkuar identifikim më të hershëm të rasteve, mbrojtje më efikase dhe luftë më të vendosur kundër martesave të detyruara.
Autoritetet arsimore pranuan se nuk disponojnë të dhëna për numrin e nxënësve të prekur nga kjo dukuri, ndërsa qeveria rajonale nuk ka informacion të plotë për vendet ku janë lidhur martesat.
Shqetësimin e konfirmojnë edhe të dhënat e qendrës këshilluese shtetërore “Yasemin”, e cila gjatë vitit 2025 regjistroi 271 këshillime. Në 80 raste bëhej fjalë për persona të rrezikuar nga martesat e detyruara, prej të cilëve 33 ishin të mitur.



