Reagimet që pasuan lajmin për blerjen e rrjetit të marketeve “Tinex” nga kompania kosovare “Proeks Internacional” ngrenë një pyetje shqetësuese: A konsiderohet investimi i shqiptarit i mirëpritur vetëm kur ai nuk prek interesat e caktuara ekonomike dhe politike?
Në vend që ky transaksion të shihet si një marrëveshje biznesi, si hyrje e kapitalit të ri dhe si mundësi për zhvillimin e tregut, një pjesë e reagimeve në rrjetet sociale e trajtojnë shitjen si veprim “jopatriotik”, vetëm pse blerësi vjen nga jashtë. Madje, në disa komente pretendohet se pronari i deritanishëm kishte siguruar lokacione atraktive falë lidhjeve politike, ndërsa tani qortohet pse po ia shet biznesin një kompanie të huaj.
Por këtu lind një kundërthënie e qartë: nëse prona dhe biznesi janë private, mbi çfarë baze kërkohet që pronari të mos e shesë atë te një blerës i huaj? Dhe pse origjina kosovare e investitorit duhet të shndërrohet në arsye për reagime negative?
Kjo të krijon përshtypjen se po rikthehet një mentalitet i vjetër, sipas të cilit shqiptari mund të jetë pjesë e tregut vetëm për aq kohë sa nuk shfaqet si investitor serioz, pronar kapitali apo faktor ekonomik me ndikim. Kur shqiptarët kërkojnë mundësi, shpesh përballen me barriera; kur sjellin kapital dhe marrin përsipër biznese, lindin dyshime, rezerva dhe thirrje në emër të patriotizmit.
Natyrisht, kritikat për privilegjet e mundshme politike, për mënyrën se si janë siguruar lokacionet tregtare apo për transparencën e marrëveshjeve janë legjitime, nëse mbështeten në fakte. Por këto çështje duhen trajtuar me të njëjtat standarde për të gjithë. Ato nuk mund të përdoren si argument kundër një investitori vetëm për shkak të prejardhjes së tij.
Patriotizmi nuk mund të jetë monopol i askujt, e aq më pak mburojë për interesa ekonomike të caktuara. Në një ekonomi tregu, rëndësi duhet të kenë ligjshmëria e transaksionit, konkurrenca, vendet e punës, trajtimi i punëtorëve dhe kontributi në zhvillimin ekonomik, jo pasaporta e pronarit.
Nëse investimi nga Kosova sjell kapital, modernizim, konkurrencë dhe mundësi të reja, ai duhet të vlerësohet sipas rezultateve dhe jo të paragjykohet sipas përkatësisë kombëtare të investitorit.
Në fund, pyetja është e thjeshtë: A po shqetësohemi për mënyrën se si bëhet biznesi, apo për faktin se një biznes të njohur në Maqedoni po e blen një kompani kosovare?
Sepse, nëse problemi nuk është ligji, transparenca apo konkurrenca, por vetë fakti që investitori është shqiptar, atëherë nuk kemi të bëjmë thjesht me debat ekonomik. Kemi të bëjmë me një mentalitet përjashtues, i cili, në vend që ta shohë kapitalin si mundësi për zhvillim, rrezikon ta trajtojë atë si kërcënim kur vjen nga shqiptari.



