Sa kushton jetesa mujore për një familje katër anëtarëshe në Maqedoninë e Veriut? Qeveria dhe Lidhja e Sindikatave japin shifra të ndryshme, me një diferencë prej mbi 10 mijë denarësh.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, në gusht një familjeje i duheshin 58.475 denarë për nevojat bazë. Ndërkaq, shporta minimale sindikale për të njëjtin muaj arrinte në 68.675 denarë, ndërsa në shtator u rrit në 69.432 denarë.
Dallimi vërehet edhe te shpenzimet për ushqim. Ministria llogarit 21.132 denarë, ndërsa sindikatat vlerësojnë se nevojiten 25.032 denarë.
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, mohon se metodologjia e re qeveritare synon të paraqesë artificialisht më të ulëta shpenzimet e qytetarëve. Sipas tij, përllogaritja bazohet në konsumin real, të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave, çmimet në 23 tregje dhe produktet më të shitura në tetë zinxhirë të mëdhenj marketesh.
Qeveria merr parasysh edhe të dhënat e regjistrimit të popullsisë, sipas të cilave 95 për qind e banorëve jetojnë në banesa të tyre, çka ndikon në mënyrën e llogaritjes së shpenzimeve të banimit.
Megjithatë, diferenca mes dy përllogaritjeve ngre pikëpyetjen se sa i mbulojnë realisht shpenzimet e një familjeje pagat dhe të ardhurat mujore.





