Banorët dhe bujqit që duhet të kalojnë në lagjen “Dardania” në Tetovë përballen çdo ditë me rrezikun te nënkalimi i autostradës për të shkuar në tokat e tyre bujqësore. Megjithëse punimet për rregullimin e dy nënkalimeve në këtë lagje kanë nisur që në pranverë, ato ende nuk kanë përfunduar. Si pasojë, njëri nga nënkalimet mbetet tërësisht i bllokuar, duke i detyruar banorët ose të rrezikojnë jetën duke kaluar mbi autostradën Shkup-Gostivar, ose të bëjnë rreth 1.5 kilometra rrugë shtesë. Banorët shprehen të revoltuar nga stërzgjatja e punimeve dhe u bëjnë thirrje autoriteteve komunale që të përshpejtojnë procesin.
“Këtu është shumë rrezik për të kaluar. Duhet ta bëjnë sa më shpejt rrugën që të kalojmë për në fusha. Nuk di çfarë të them, nga të shkojmë… Të dalim në autostradë është e ndaluar, kurse kjo ka katër muaj që është e mbyllur. Njerëzit as në fusha nuk kalojnë dot dhe i kanë lënë pa punuar tokën shkaku i rrugës.”
“Është shumë e nevojshme sepse nuk kemi nga të lëvizim. Unë bëj xhiro të madhe për shkak të kësaj rruge. Ka më shumë se dy muaj që është e mbyllur.”
Nga ana tjetër, nga Komuna e Tetovës thonë se dinamika e punimeve po zhvillohet sipas afateve të parapara, ndonëse nuk japin një datë fikse se kur pritet të përfundojë plotësisht ky projekt.
“Sipas informacioneve, punimet për rregullimin e kanalizimit atmosferik në lagjen ‘Dardania’ po zhvillohen sipas dinamikës së paraparë nga realizuesi. Para disa ditësh u realizua kyçja në gypin qendror në rrugën për në fshatin Zhelinë, si dhe u bë depërtimi në autostradën Shkup–Gostivar. Në këtë pjesë, përveç kanalizimit atmosferik, është rregulluar edhe tubacioni i rrjetit të ujësjellësit, duke përmirësuar kështu infrastrukturën e furnizimit me ujë për banorët e kësaj zone”, tha Besarta Ramadani.
Këto dy nënkalime prej vitesh kanë qenë burim rreziku për kalimtarët, ku gjatë ditëve me shi deri në tre automjete në ditë pësonin dëmtime nga uji i mbledhur. Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, gjatë xhirimeve në terren nuk u pa asnjë ekskavator apo punëtor duke punuar. Me ardhjen e motit të lig, realizimi i punimeve rrezikon të vështirësohet edhe më tej, për shkak se thellësia e gërmimeve duhet të arrijë në mbi pesë metra.





