Kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka njoftuar se Serbia nuk ka lejuar kalimin e deputeteve Arbërie Nagavci, Fatmire Mullhaxha-Kollçaku dhe Liza Gashi, të cilat ishin nisur për një vizitë ngushëllimi te Sinani.
Pjesë e këtij delegacioni ishte edhe Ragmi Mustafa, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
“Pas disa orësh të mbajtjes në vendkalimin kufitar me Kosovën në Depcë, autoritetet kufitare njoftuan delegacionin nga Republika e Kosovës se nuk i lejohej vizita në Preshevë. E detyruar nga këto rrethana, së bashku me vëllezërit dhe familjarët e mi, e nderuar nga qëllimi i deputeteve dhe ambasadorit për të qenë pjesë e dhimbjes sime me rastin e vdekjes së babait, i takova në vendkalimin e Depcës, në territorin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ajo në rrjetin social ‘Facebook’.
Sinani ka thënë se Serbia sërish vendosi që, siç u shpreh ajo, “paturpësisht” ta vendosë politikën në këtë rast.
“Qoftë edhe në këto rrethana aspak njerëzore, e frustruar nga ky rast, pata nderin që, së bashku me familjarët e mi, t’i pranoja ngushëllimet e sinqerta në emër të deputeteve Nagavci, Mullhaxha-Kollçaku dhe Gashi, të cilat më përcollën edhe ngushëllimet e kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, mikes sime, znj. Albulena Haxhiu”.
Ajo ka theksuar se kjo situatë duhet të mbahet mend për të keq.
“Kjo është një situatë për t’u mbajtur mend për të keq, ku Serbia e shpërfaq politikën e saj diskriminuese në çdo pore të jetës, qoftë edhe në rastet e vdekjeve, kur vizitat kanë për qëllim vetëm ndarjen e dhimbjes”.
Sinani ka shprehur shpresën që Serbia ta ketë marrë edhe një herë mesazhin e merituar.
“Por, ashtu si në çdo rast tjetër, shpresoj më së shumti sot që Serbia ta ketë marrë mesazhin e qartë se, edhe në rrethana gati të pamundura, nuk do t’ia dalë ta ndajë as koordinimin politik, e aq më pak lidhjen tonë shpirtërore”.
Nuk është hera e parë që Serbia ndalon politikanë nga Kosova të kalojnë drejt Luginës së Preshevës. Raste të tilla kanë ndodhur edhe në të kaluarën.



