LSH shpërthen ndaj pushtetit: “Stop represionit shtetëror ndaj shqiptarëve!” – Kërkon dorëheqjen e Toshkovskit dhe Isenit

Lidhja Shqiptare (LSH) ka reaguar ashpër ndaj rastit të raportuar të dhunës policore mbi dy të rinj shqiptarë në Shkup, duke e cilësuar atë si dëshmi të represionit të aparatit shtetëror ndaj shqiptarëve dhe duke kërkuar përgjegjësi penale e politike.

Sipas LSH-së, ky nuk është rast i izoluar. Partia pretendon se sjellja e policëve të përfshirë rikthen praktikat e kohës së qeverisjes së Nikolla Gruevskit, kur, sipas saj, shqiptarët përballeshin me dhunë policore dhe sulme nga grupe huliganësh.

“Kjo nuk është asgjë tjetër përveçse represion i aparatit shtetëror ndaj shqiptarëve”, thekson LSH-ja, duke kërkuar që rasti të mos përfundojë vetëm me hetime dhe masa disiplinore.

Partia kërkon që pretendimet për dhunë të hetohen si vepra të rënda penale dhe, nëse vërtetohen, përgjegjësit të dënohen sipas ligjit. Njëkohësisht, kërkon përgjegjësi komanduese dhe politike, si dhe dorëheqjen e menjëhershme të ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, dhe zëvendësministrit Astrit Iseni.

LSH u ka bërë thirrje përfaqësive diplomatike të SHBA-së, vendeve evropiane dhe BE-së, si dhe OSBE-së, Komitetit të Helsinkit dhe organizatave ndërkombëtare, të reagojnë dhe të ndjekin nga afër rastin.

Sipas partisë, për këtë qëllim tashmë u është dërguar një letër zyrtare përfaqësive diplomatike dhe organizatave ndërkombëtare të akredituara në vend.

Në fund, Lidhja Shqiptare u ka uruar shërim të shpejtë dy të rinjve dhe i ka inkurajuar të kërkojnë drejtësi deri në fund, duke u premtuar mbështetje.