Kongresmeni amerikan nga radhët e Partisë Republikane, Joe Wilson, ka akuzuar ish-presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se po përpiqet t’i manipulojë zgjedhjet e ardhshme në vend, duke bërë thirrje për mbikëqyrje ndërkombëtare të procesit zgjedhor.
Në një tekst autorial të publikuar në Washington Examiner, Wilson i ka cilësuar zgjedhjet e ardhshme në Serbi si “më të rëndësishmet dhe më vendimtaret”, ndërsa ka shprehur mbështetje për lëvizjen studentore që po kundërshton pushtetin e Vuçiqit.
“Për herë të parë, një lëvizje e fuqishme studentore po sfidon klikën e korruptuar të Aleksandar Vuçiqit, i cili prej 14 vitesh, përmes marrëveshjeve dhe manovrave putiniste, qeveris vendin dhe e plaçkit atë, duke mbytur konkurrencën politike përmes Partisë Përparimtare Serbe (SNS)”, ka shkruar Wilson.
Ai ka pretenduar se Vuçiqi tashmë po bën gjithçka që mundet për t’i “vjedhur” zgjedhjet.
“Mbështetësit e sundimit të ligjit në mbarë botën duhet të flasin dhe ta monitorojnë nga afër procesin, në mënyrë që të kufizohet manipulimi i zgjedhjeve dhe lirisë t’i jepet një shans real”, ka deklaruar kongresmeni amerikan.
Wilson e ka cilësuar Vuçiqin si “kalë trojan” të presidentit rus Vladimir Putin, duke pretenduar se ai shpenzon shuma të mëdha parash për lobistë në Washington për të larguar vëmendjen nga planet e tij për manipulimin e zgjedhjeve.
Sipas tij, Vuçiqi dhe SNS-ja janë të nënshtruara ndaj presidentit rus Putin dhe regjimi i Beogradit po e afron Serbinë me Rusinë dhe Kinën.
Wilson ka përmendur edhe sektorin energjetik të Serbisë, duke pretenduar se kompanitë shtetërore të naftës dhe gazit janë në pronësi ruse dhe se kjo kontribuon në financimin e luftës së Rusisë në Ukrainë. Ai ka kritikuar gjithashtu përdorimin e teknologjisë ushtarake dhe të mbikëqyrjes kineze në Serbi, si dhe stërvitjet e përbashkëta ushtarake me ushtrinë kineze.
Kongresmeni amerikan ka pretenduar se Serbia dhe Rusia bashkëpunojnë ngushtë në fushën e inteligjencës dhe se Serbia shërben si bazë për aktivitetet e fshehta ruse kundër Perëndimit.
Wilson ka kritikuar edhe marrëdhëniet e Beogradit me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, duke i cilësuar deklaratat e Vuçiqit për raportet me Perëndimin si “gënjeshtra të paturpshme”.
Megjithatë, ai ka thënë se sheh shpresë tek lëvizja studentore në Serbi, e cila, sipas tij, u forcua pas shembjes së strehës së një stacioni hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona.
“Ky është një moment që kërkon rikthimin e sundimit të ligjit në vend”, ka shkruar Wilson, duke shtuar se një Serbi paqësore, e begatë dhe stabile do të ishte fitore historike për popullin serb, rajonin dhe botën.
Wilson: Zgjedhjet po përgatiten të manipulohen
Kongresmeni amerikan ka akuzuar më tej pushtetin në Beograd për keqpërdorim të burimeve shtetërore, manipulim të listave të votuesve dhe kontroll mbi mediat.
Sipas tij, shërbimet e sigurisë shtetërore ushtrojnë represion, ndërsa liria e shprehjes ndëshkohet. Ai ka pretenduar gjithashtu se regjimi i Vuçiqit po pengon votimin e diasporës serbe.
Wilson është referuar edhe te raportet e ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të vitit 2023, duke thënë se organizata kishte konstatuar kushte të padrejta zgjedhore dhe kishte dhënë rekomandime për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“ Asnjëra prej tyre nuk është zbatuar”, ka pretenduar ai.
Wilson ka bërë të ditur se në Kongres ka propozuar një ligj që do të përcaktonte marrëdhëniet SHBA-Serbi në këtë kontekst. Sipas tij, miratimi i këtij ligji do të tregonte se Washingtoni e njeh rëndësinë e Serbisë dhe i dëgjon thirrjet e qytetarëve të saj për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Në fund, Wilson ka krahasuar nivelin ekonomik të Serbisë me atë të Sllovenisë, Kroacisë dhe Bjellorusisë, duke argumentuar se vendi ndodhet në një pikë vendimtare.
“Serbia qëndron në një udhëkryq. Mund ta ndajë prosperitetin e Sllovenisë dhe Kroacisë dhe të bëhet një aktor i rëndësishëm në një rajon kyç, ose të ndjekë rrugën e Bjellorusisë autoritare. Në zgjedhje të lira dhe të ndershme, është e qartë se populli i Serbisë do ta zgjedhë lirinë”, ka përfunduar Wilson.



