Parlamenti ndryshon rregullat: 4 ligje kalojnë me shumicë votash

Deputetët në seancën e 125-të të Kuvendit kanë miratuar ndryshime dhe plotësime në katër ligje, që lidhen me sektorin publik, drejtuesit e lartë, pagat e personave të zgjedhur e të emëruar dhe pyjet.

Me shumicë votash „pro“ u miratuan ndryshimet në Ligjin për drejtuesit e lartë dhe Ligjin për të punësuarit në sektorin publik.

Gjithashtu kaluan ndryshimet në ligjin për pagat dhe kompensimet e personave të zgjedhur dhe të emëruar, si dhe në Ligjin për pyjet.

Seanca u ndërpre pasi, sipas njoftimit të Kuvendit, nuk kishte mundësi procedurale për vazhdimin e debatit mbi pikat e mbetura.

Në rend dite kanë mbetur edhe ndryshimet në ligjet për nëpunësit administrativë dhe punët e jashtme, si dhe programet kombëtare për arsimin e lartë dhe veprimtarinë shkencore për periudhën 2025–2030.