KOMENT: ‘Korridori 8’ mes premtimeve dhe vonesave: Maqedonia nuk mund të mbetet peng i boshtit veri–jug

Fejzi HAJDARI

Viti 2032 po paraqitet si një tjetër horizont për përfundimin e ‘Korridorit 8’. Por, për Maqedoninë e Veriut problemi nuk është mungesa e deklaratave politike. Problemi është se një projekt që duhet të ishte prej kohësh prioritet strategjik ende matet me afate të reja, konferenca dhe zotime.
‘Korridori 8’ nuk është thjesht asfalt dhe hekurudhë. Ai është korridori lindje–perëndim që lidh Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, Adriatikun me Detin e Zi. Vetë projekti njihet si pjesë e rrjetit panevropian dhe si infrastrukturë me rëndësi strategjike edhe për NATO-n.
Pikërisht këtu lind pyetja për Shkupin: përse një korridor me këtë peshë strategjike, ka humbur kaq shumë kohë?
Me ardhjen e VMRO-DPMNE-së në pushtet, kritikat se politika infrastrukturore po anon më shumë drejt boshtit veri–jug, pra drejt ‘Korridorit 10’ dhe lidhjes Beograd–Shkup–Athinë, meritojnë debat serioz. Por, kjo nuk duhet paraqitur si fakt i kryer pa prova: Kancelaria qeverisëse e Hristijan Mickoskit deklaron zyrtarisht se punimet në “Korridorin 8” dhe “10-d”, po zhvillohen sipas dinamikës së paraparë, ndërsa në maj 2025 nisi edhe ndërtimi në segmentin Tetovë–Gostivar.
Megjithatë, kantieret nuk e fshijnë historinë e vonesave. Edhe të dhënat e “Bechtel–ENKA”, tregojnë se në gusht 2026 punimet vazhdonin në seksionet 1, 2 dhe 4 të projektit të përbashkët “Korridori 8” / ”10d”. Pra, shumë vite pasi Korridori 8 u shpall strategjik, Maqedonia ende është larg një aksi të përfunduar lindje–perëndim.
Dhe këtu qëndron thelbi: Maqedonia e Veriut nuk duhet të zgjedhë mes “Korridorit 8” dhe “Korridorit 10”. Të dy janë të rëndësishëm. Por nëse “Korridori 10” funksionon si arteria tradicionale veri–jug, “Korridori 8” është ai që i jep vendit një dimension tjetër gjeoekonomik – dalje drejt Shqipërisë dhe Adriatikut në perëndim dhe drejt Bullgarisë e Detit të Zi në lindje.
Prandaj, çdo perceptim se Shkupi po e trajton “Korridorin 8” si prioritet të dorës së dytë, duhet të marrë përgjigje jo me konferenca dhe deklarata, por me kilometra të përfunduar, hekurudhë funksionale dhe afate që respektohen.
Pas kaq shumë vitesh, viti 2032 nuk duhet të jetë një premtim i radhës. Për Maqedoninë e Veriut, “Korridori 8” është provë nëse politika e saj infrastrukturore do të jetë vërtet shumëdrejtimëshe dhe evropiane, apo do të vazhdojë të mbështetet kryesisht te aksi tradicional Beograd–Shkup–Athinë.