Alarm në Trepçë: 60 minatorë mbeten të bllokuar nën tokë, tre janë nxjerrë

Tre minatorë janë nxjerrë nga miniera e Trepçës në Stari Tërg, ndërsa rreth 60 të tjerë mbeten të bllokuar në horizontin e 11-të. Ekipet e zjarrfikësve po vazhdojnë operacionin për nxjerrjen e tyre.

Sipas kryetarit të Sindikatës së Minatorëve të Trepçës, Ibrahim Januzi, minatorët mbetën të bllokuar pas një defekti në sistemin e furnizimit me energji elektrike. Problemi është shfaqur rreth orës 19:30, pas dëmtimit të linjave të tensionit të lartë dhe një defekti në trafostacionin pranë tunelit të parë.

Një pjesë e minatorëve kanë nisur të dalin përmes daljeve alternative. Me ta ka komunikim përmes linjës telefonike induktive, ndërsa gjendja e tyre raportohet si stabile.

Megjithatë, raportohet se njëri prej minatorëve ka probleme me këmbën, gjë që mund t’ia vështirësojë daljen në këmbë.

Sipas informacioneve nga terreni, linja elektrike që furnizon minierën nuk ka pësuar dëmtime të mëdha dhe pritet të riparohet në një kohë të shkurtër. Problemet në sektorin e flotacionit, sipas sindikatës, nuk pengojnë nxjerrjen e minatorëve, pasi ky sistem nuk është i lidhur me ashensorin që përdoret për transportin e tyre.

Kryetari i Sindikatës ka kritikuar mungesën e investimeve dhe pajisjet e vjetruara, duke theksuar se situata të ngjashme janë përsëritur edhe më herët.

Ai paralajmëroi se mungesa e një sistemi alternativ të furnizimit me energji elektrike i detyron minatorët të qëndrojnë me orë të tëra nën tokë, duke e cilësuar këtë si rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e tyre.