Politikani serb Nenad Çanak i është përgjigjur ashpër presidentit serb Aleksandar Vuçiq, pasi ky i fundit, sipas Çanakut, e ka përmendur atë gjatë tubimeve politike. Në një reagim të gjatë, Çanak ka bërë një sërë pretendimesh historike dhe politike për Vojvodinën dhe ka kërkuar që të rihapet çështja e statusit të saj brenda Serbisë.
Çanak ka kujtuar se pas shpërbërjes së RSFJ-së, e cila kishte tetë njësi federale, u krijuan shtatë shtete të pavarura. Ai theksoi se territori i Vojvodinës ishte pjesë e Monarkisë së Habsburgëve nga Paqja e Karlovcit në vitin 1699 deri më 1918, periudhë që, sipas tij, është shumë më e gjatë se koha që Vojvodina ka kaluar brenda Serbisë së pavarur.
Ai kundërshtoi edhe narrativën se ushtria serbe e kishte “çliruar” Vojvodinën në vitin 1918. Sipas Çanakut, forcat serbe vetëm hynë në territor, ndërsa popullsia lokale ishte organizuar paraprakisht për ruajtjen e rendit. Ai kërkoi që të përmendet emri i ndonjë ushtari serb që kishte humbur jetën gjatë këtij të ashtuquajturi “çlirimi”.
Çanak iu referua edhe shkrimit “Qaj, Vojvodinë” të Jaša Tomiqit, të botuar menjëherë pas bashkimit, duke thënë se ai dëshmonte për pakënaqësinë e madhe ndaj politikës ekonomike të pushtetit të ri ndaj krahinës.
Ai tha gjithashtu se kishte propozuar federalizimin e Serbisë, ndërsa në Kushtetutë kishte kërkuar që emri i shtetit të ishte “Republika e Serbisë dhe Vojvodinës”, por ideja nuk ishte marrë seriozisht.
Në fund, Çanak deklaroi se, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, qeveria e ardhshme duhet të nisë dialogun për statusin e Vojvodinës.
“Kush nuk dëshiron të dialogojë, më vonë do të duhet të negociojë”, ka deklaruar Çanak, duke iu drejtuar drejtpërdrejt Vuçiqit.



