“Kod sekret” për patentat: Punonjësja e MPB-së dyshohet se shtoi kategori të paligjshme për një vit, 6 persona nën hetim

Një punonjëse e Ministrisë së Punëve të Brendshme dyshohet se ka përdorur kodin e saj të qasjes në sistemin elektronik të MPB-së për të shtuar në mënyrë të paligjshme kategori të patentë-shoferëve për persona që nuk i plotësonin kushtet ligjore.

Sipas MPB-së, skema dyshohet se ka funksionuar nga fillimi i vitit 2025 deri më 24 gusht 2026. Punonjësja T.S., e cila tashmë është suspenduar, dyshohet se ka ndërhyrë në procedurat e pajisjes me patentë për katër persona.

Pas ndryshimit të të dhënave në sistem, ajo dyshohet se ka miratuar kërkesat, ndërsa më pas janë lëshuar patentë-shoferët me kategoritë e shtuara në mënyrë të paligjshme.

Në rast dyshohet se ka pasur edhe ndërmjetës. B.A. dyshohet se ka qenë në komunikim dhe marrëveshje me punonjësen dhe ka ndërmjetësuar për pajisjen me leje drejtimi të M.A. dhe F.A.

MPB-ja ka ngritur kallëzim penal ndaj gjithsej gjashtë personave për dyshime për falsifikim të dokumenteve.

Sipas autoriteteve, njëra prej patentave të lëshuara në këtë mënyrë dyshohet se është përdorur edhe për kalimin e kufirit shtetëror me motoçikletë.

Kontrolli i Brendshëm i MPB-së pritet të nisë edhe procedurë disiplinore ndaj punonjëses.