Në Gjykatën Penale ka vazhduar gjykimi ndaj ish-gjyqtarit të Apelit, Gjoko Ristov, ndërsa si dëshmitar i mbrojtjes është paraqitur Fehmi Shtafa, i cili mohoi se i kishte dhënë para Ristovit për të ndikuar në ndonjë vendim gjyqësor.
Shtafa deklaroi se në rastin e tij të mëparshëm kishte pranuar fajin dhe ishte dënuar me 15 muaj burg, por pretendoi se këtë e kishte bërë nga frika dhe për të dalë nga paraburgimi. Sipas tij, pranimi i fajit ishte “e keqja më e vogël”, pasi kishte frikë se mund t’i ndodhnin gjëra edhe më të rënda.
Ai mohoi kategorikisht se paratë e gjetura tek ai ishin të destinuara për Ristovin. Sipas dëshmisë së tij, 20 mijë euro ishin pagesë për shërbimet e tij si avokat i biznesmenit Lupço Pecov – Gjavoillot, ndërsa për 30 mijë eurot e tjera tha se i kishte marrë hua nga motra e Pecovit.
Shtafa gjithashtu pretendoi se pas ndalimit ishte përballur me presione që të deklaronte se paratë ishin të destinuara për gjyqtarin Ristov. Ai tha se kishte refuzuar ta bënte një gjë të tillë, pavarësisht pasojave.
Ndërkohë, Ristov po gjykohet për përfitim dhe fshehje të kundërligjshme të pasurisë, pasi gjatë hetimeve në shtëpinë e prindërve të tij në Negotinë u gjetën 350 mijë euro të fshehura në mur. Ristov i ka mohuar akuzat.





