Shkup, Tetovë, Kumanovë, Veles dhe Strumicë janë përfshirë në një seri aksionesh policore kundër drogës. 25 persona janë privuar nga liria, ndërsa gjatë kontrolleve dhe bastisjeve janë sekuestruar lëndë narkotike, kanabis, tableta, metadon, peshore digjitale dhe para.
Aksioni më i madh është zhvilluar në Shkup, ku policia ka ndaluar 17 persona. Gjatë kontrolleve janë gjetur marihuanë, substanca pluhurore dhe kokërrzore, si dhe metadon dhe tableta.
Në Tetovë dhe rrethinë, policia ka privuar nga liria tre persona, te të cilët është gjetur marihuanë dhe një substancë pluhurore.
Ndërkohë, aksionet kanë vazhduar edhe në Kumanovë, Veles dhe Strumicë, ku janë ndaluar persona të tjerë. Gjatë bastisjeve janë sekuestruar marihuanë, bimë kanabisi, lëndë narkotike, peshore digjitale dhe para.
Policia po vazhdon procedurat për dokumentimin e rasteve. Pas përfundimit të tyre, ndaj personave të dyshuar do të parashtrohen kallëzimet përkatëse.
Aksioni në disa qytete vjen si goditje e re ndaj shpërndarjes së lëndëve narkotike në vend.





