Partia VLEN ka përshëndetur vlerësimin pozitiv të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për përparimin e Maqedonisë së Veriut në zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Gjatë vizitës së saj në Shkup, von der Leyen e cilësoi progresin e arritur si “impresiv” dhe paralajmëroi pagesa të reja në javët e ardhshme.
Sipas VLEN-it, Maqedonia e Veriut deri tani ka përfituar 140 milionë euro nga ky plan.
“Këto mjete janë rezultat i punës serioze dhe përkushtimit të institucioneve në përmbushjen e detyrimeve të marra”, thuhet në njoftimin e VLEN-it.
Partia thekson gjithashtu se Ministria e Çështjeve Evropiane, e drejtuar nga zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali, koordinon zbatimin e Agjendës së Reformave dhe monitoron përmbushjen e detyrimeve nga institucionet.
VLEN vlerëson se fondet e përfituara janë rezultat i përparimit në zbatimin e reformave dhe përmbushjen e kushteve të përcaktuara nga Plani i Rritjes.



